Krijimin e sa më shumë ndërmarrjeve që janë në gjendje të prodhojnë mallra dhe shërbime që plasohen suksesshëm në tregjet ndërkombëtare. Një ekonomi më inovative, ku ndëmarrjet e vogla e të mesme përdorin teknologji moderne është ajo në të cilën do të investohet.
Zhvillimi ekonomik është më gjithëpërfshirës nëse përcillet edhe me një zhvillim të qëndrueshëm rural, ku rol të rëndësishëm luan bujqësia me prodhime cilësore dhe lidhja e saj me industrinë lokale të përpunimit.
Kosova ka nevojë për përmirësim të furnizimit me energji elektrike, transport më të mirë rrugor, hekurodhor e ajror të integruar me botën dhe siguri më të madhe në trafik.
Derisa zhvillimi ekonomik është i nevojshëm, barra nuk duhet të bie mbi mjedisin. Do të punohet për një mjedis të pastër, kryesisht duke rritur prodhimin dhe konsumin e energjisë nga burime të ripërtritshme sic janë era dhe dielli; duke investuar në masa për ruajtje dhe shfrytëzim racional të energjisë dhe ujit; dhe duke e promovuar një transport miqësor për mjedisin. Gjithashtu më shumë mbeturina do të riciklohen, ndërsa pyjet do të menaxhohen qëndrueshëm.