Zyra e Kryeministrit

Zyra e Kryeministrit mbajti konferencën për promovimin e punësimit multietnikë në institucione

22 Korrik, 2022

 

Prishtinë, 22 korrik 2022

Zyra e Kryeministrit, nëpërmjet Zyrës për Çështje të Komuniteteve, ka mbajtur sot konferencën për promovimin e punësimit multietnikë në institucione. Në këtë konferencë të pranishëm ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës, Emilija Redžepi, Këshilltarja për Çështje të Komuniteteve e Kryeministrit, Elizabeth Katherine Gowing, dhe Zëvendësshefja e misionit të Ambasadës Norvegjeze, Jenny Stenberg.

Në fjalën e tij hyrëse kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që ishte në këtë konferencë që siç tha ai, pasqyron diversitetin tonë të pasur dhe të ardhmen e institucioneve tona. Njëkohësisht kryeministri falënderoi Ambasadën e Norvegjisë në Kosovë për përkrahjen e madhe që i ka dhënë Zyrës për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, për programin e praktikantëve gjatë këtij viti dhe gjatë viteve të kaluara.

‘’Duke angazhuar 100 praktikantë të rinj, me prioritet të rinjtë nga komunitetet joshumicë, së bashku kemi mundësuar praktika për të rinjtë nga të gjitha komunitetet’’, theksoi kryeministri Kurti i cili po ashtu shprehu kureshtjen që të dëgjonte nga praktikantët për përvojat nga praktika duke shpresuar që kanë mësuar gjëra që mund t’ju shërbejnë për karrierën e tyre të mëtutjeshme profesionale.

Praktikantët e programit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, treguan për rrugëtimin e tyre dhe mundësinë që të jenë pjesë e kësaj zyre, derisa falënderuan kryeministrin për hapësirën dhënë atyre për t’u bërë pjesë e institucioneve të vendit.

“Ju siguroj që do ta keni përkrahjen time për fillim të mbarë të karrierave tuaja profesionale brenda institucioneve tona. Sepse këto institucione nuk janë të qeverisë por janë tuajat dhe ju në këto institucione jeni në shtëpinë e juaj dhe ju nuk i përkisni vetëm një komuniteti të veçantë por i përkisni profesionit të cilin do ta ushtroni me zell dhe pa pengesa në vendin tuaj të punë” u shpreh ndër të tjerash, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

E nderuara zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,
E nderuara zëvendës shefe e Misionit të Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë, znj. Jenny Stenberg,
I nderuar zoti Igor Rasic nga organizata ndërkombëtare për migrim IOM,
E nderuara këshilltare për Çështje të Komuniteteve në Kryeministri , znj. Elizabeth Gowing,

Të nderuar praktikantë,
Të nderuar të pranishëm,

Është kënaqësi të jem sot këtu me juve në këtë sallë që pasqyron diversitetin tonë të pasur dhe të ardhmen e institucioneve tona.

Dua të falënderoj që në fillim Ambasadën e Norvegjisë në Kosovë, për përkrahjen e madhe që i ka dhënë Zyrës për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, për programin e praktikantëve gjatë këtij viti dhe gjatë viteve të kaluara. E falënderoj edhe për mundësinë e mbajtjes së kësaj konference që ka për qëllim promovimin e punësimit multietnikë në institucionet tona.

Duke angazhuar 100 praktikantë të rinj, me prioritet të rinjtë nga komunitetet joshumicë, së bashku kemi mundësuar praktika për të rinjtë nga të gjitha komunitetet. Këta të rinj janë duke kryer praktikën në Zyrën e Kryeministrit, në Kuvendin e Kosovës dhe nëpër Ministritë e:

• Administrimit të Pushtetit Lokal
• Drejtësisë
• Financave
• Kulturës, Rinisë dhe Sportit
• Mbrojtjes
• Punëve të Brendshme
• Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe
• Zhvillimit Rajonal

Pra tetë ministri dhe zyra e Kryeministrit do të jenë vendet në të cilën këta 100 praktikantë do të munden t’i kryejnë detyrat dhe angazhimet e reja që do t’i kenë.

Por, jo vetëm kaq, edhe në institucione komunale dhe organizata joqeveritare në gjithsej 16 komuna, nga Leposaviqi deri në Prizren, nga Peja deri në Ranillug.

Unë jam kureshtar të dëgjoj sot nga ju për përvojat nga praktika, dhe shpresoj e besoj që keni mësuar gjëra që mund t’ju shërbejnë për karrierën tuaj të mëtutjeshme profesionale.

Por, gjithashtu, më vjen mirë që së bashku me ne sot janë eprorët dhe kolegët, të cilët mund të na tregojnë më shumë për përfitimet që kanë pasur zyrat tona nga diversiteti brenda ekipeve.

E dimë nga përvojat e kompanive më të suksesshme botërore se çfarë rezultate mund të sjellë diversiteti te ekipet punuese. Kur punon me kolegë të kulturave, të gjuhëve të ndryshme, hapen mundësitë për të mësuar nga njëri-tjetri qasje të larmishme ndaj punës dhe nga kjo përfitojmë që të gjithë.

Prandaj, jam optimist për institucionet e Republikës së Kosovës kur e di që ka njerëz sikurse ju, të cilët me praktikat 6-mujore, po përgatiteni për punësim afatgjatë në institucionet tona.

Zgjerimi i punësimit në këtë formë është edhe obligim i yni ligjor. Kuota që 10% e vendeve të punës në institucionet qendrore të jetë për punëtorë nga komunitetet joshumicë është shumë e rëndësishme për shëndetin e institucioneve, si dhe për punësimin e komuniteteve joshumicë. Përfitimi është padyshim i dyanshëm.

Po aq e rëndësishme është edhe përmbushja e kuotës së punësimit në institucionet e nivelit komunal, në përputhje me përqindjen e komuniteteve në komunë.

Unë jam krenar që muajin e kaluar qeveria jonë ka marrë vendim për krijimin e ekipit ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ndër të tjera, ekipi do të merret me grumbullimin dhe publikimin e të dhënave për punësim në nivel komunal dhe qendror. Ky mekanizëm, për këto tri komunitete joshumicë mund të shërbejë edhe si shembull, edhe si shtysë për grumbullimin dhe botimin e të dhënave për të gjitha komunitetet.

Ndër vendimet e rëndësishme që ka marrë qeveria jonë gjatë muajve të fundit, për të ndihmuar punësimin e komuniteteve joshumicë në institucione është edhe krijimi i Njësisë së Përkthimit dhe Harmonizimit të ligjeve dhe akteve nënligjore, që mundëson punësimin e përkthyesve shtesë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Pra ne dëshirojmë të kuptohemi qartë, të kuptohemi drejt dhe të komunikojmë sa më shumë.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Ju siguroj që do ta keni përkrahjen time për fillim të mbarë të karrierave tuaja profesionale brenda institucioneve tona. Sepse këto institucione nuk janë të qeverisë por janë tuajat dhe ju në këto institucione jeni në shtëpinë e juaj dhe ju nuk i përkisni vetëm një komuniteti të veçantë por i përkisni profesionit të cilin do ta ushtroni me zell dhe pa pengesa në vendin tuaj të punës.

Shpresojmë që përvoja gjashtë-mujore që do ta keni në institucione do të ju inspirojë për të ardhmen, dhe e di që prania juaj në Ministritë dhe Komunat e Kosovës tashmë i ka frymëzuar për më shumë punë edhe kolegët. Do të jetë kënaqësi të dëgjojmë më shumë për përvojat tuaja gjatë kohës sa jemi së bashku këtu.

Ju faleminderit të gjithëve.

Last modified: 22 Korrik, 2022

Comments are closed.

×