Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Tahiri: Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se çfarëdo propozimi për autonomi është i papranueshëm dhe joreal dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës

16 Mars, 2011

Prishtinë, 16 mars 2011

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri takoi Drejtorin për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG), z. Marko Prelec dhe z. Naim Rashiti, koordinator i projektit në Kosovë.
 
Në këtë takim me përfaqësuesit e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) u bisedua lidhur me raportin e fundit që ICG ka bërë për Kosovën.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se pas analizimit me kujdes të raportit për Kosovën të ICG-së, Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se çfarëdo propozimi për autonomi është i papranueshëm dhe joreal dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e definon qartë konceptin shtetëror të Kosovës si shtet sovran, të pavarur, me integritet territorial të pacenueshëm dhe me karakter unitarë, tha zonja Tahiri duke shtuar më tej se për çështjet e rregullimit të brendshëm të Kosovës, institucionet e Kosovës janë plotësisht sovrane.
 
Zonja Tahiri po ashtu shtoi se Republika e Kosovës e ka të integruar në Kushtetutën e saj Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit, i cili në vetvete ngërthen të drejtat dhe kompetencat më të lartat të mundshme për komunitetin serb dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës po e zbaton dhe është e gatshme që të vazhdoj me zbatimin e Planit të Ahtisarit.

Po ashtu në këtë takim u bisedua edhe për çështjen e dialogut teknik që ka filluar midis shtetit të pavarur të Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministrja Tahiri potencoi se ky dialog do të jetë ekskluzivisht për çështje teknike të e cilat do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja shteteve, në përmirësimin e bashkëpunimeve rajonale dhe mbi të gjitha i shërben avancimit të agjendës evropiane për Republikën e Kosovës. Ajo shprehu besimin se dialogu teknik do të rezultojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore midis dy shteteve, që është njëherësh parakusht për integrimin e vendeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO.  
 

Last modified: 16 Mars, 2011

Comments are closed.

×