Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Rexhepi qëndroi për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

8 Prill, 2024

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, gjatë javës së kaluar qëndroi për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në ngjarje dhe konferenca të ndryshme, në të cilat ndau vizionin e saj për të drejtat e njeriut, paqen, solidaritetin dhe fuqinë e shpresës.

Poashtu, zëvendëskryeministrja Rexhepi, mori Çmimin e Paqes, të ndarë nga Federata për Paqe dhe Dashuri Botërore, i cili konfirmon përkushtimin tonë për paqen globale dhe dashurinë mes popujve të botës.

Në fjalimet e saj, ajo theksoi rëndësinë e solidaritetit, tolerancës dhe mbrojtjes së komuniteteve. “Kosova, si shteti më i ri në botë, një vend që pësoi luftëra dhe konflikte të ndryshme, ku mijëra civilë dhe të pafajshëm, fëmijë, gra, pleq humbën jetën, ku edhe 25 vjet pas luftës kemi mijëra të pagjetur por edhe një vend plot shpresë, plot me të rinj që luftojnë vazhdimisht për drejtësi, barazi dhe respekt të ligjit. Nëpërmjet përvojës sonë, ne kuptuam se shpresa është forca kryesore që na shtyn drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të sigurt, më progresive dhe më të përgjegjshme”, tha ajo duke shtuar se e kaluara është e dhimbshme dhe nuk mund të harrohet, por të gjithë jemi të detyruar të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët tanë.

“Një vend, pa dallim kombi, feje, kulturash, traditash dhe zakonesh të ndryshme, këto janë vlerat e Kosovës tonë multietnike dhe ne po luftojmë me të gjitha forcat për t’i ruajtur dhe ushqyer ato si pasuri kombëtare”, tha Zëvendëskryeministrja Rexhepi. Poashtu, ajo u shpreh se në një botë që përballet me sfida komplekse, ne duhet të mbështetemi në forcën e ndërgjegjes dhe besimit për një të nesërme më të mirë. Sipas zëvendëskryeministres, vetëm me përpjekje të përbashkëta mund të formojmë një botë që mbështetet në themelet e paqes, dashurisë dhe solidaritetit.

Në fund, Zëvendëskryeministrja Rexhepi ka falënderuar Federatën për Paqe dhe Dashuri Botërore dhe Misionin e Përhershëm të Kiribatit në Kombet e Bashkuara për punën e tyre të përkushtuar për të promovuar paqen dhe mirëkuptimin midis popujve. Ajo përfundoi duke thënë se bisedat tona do të frymëzojnë shpresë, të nxisin ndryshimin dhe të hapin rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme për të gjithë brezat që do të vijnë.

 

Last modified: 11 Prill, 2024

Comments are closed.

×