Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u prit në Senatin e Belgjikës

27 Shkurt, 2012

Bruksel, 27 shkurt 2012

Në vazhdim të qëndrimit në Bruksel, Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri u prit në Senatin Belg nga Zëvendës Kryetari i Senatit, z. Danny Pieters. Në takim u bisedua

progresin e arritur në Republikën e Kosovës, forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve si dhe për rrjedhat e fundit në dialogun teknik që u zhvillua në Bruksel.

Znj. Edita Tahiri theksoi se gjatë katër viteve të pavarësisë, Kosova ka shënuar progres substancial në zhvillimin e shtetit demokratik si dhe ka avancuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e popullit të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja Tahiri poashtu kërkoi vazhdim të angazhimit edhe nga Senati Belg për ta përkrahur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe rritjen e numrit të njohjeve ndërkombëtare. Ajo tha se pa dyshim që angazhimet e fundit i BE-së për fillimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim në mes të Kosovës dhe BE-së afrojnë më shumë Kosovën me BE-në dhe tregojnë një arritje të madhe në këtë vit për institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ardhmërinë evropiane të shtetit tonë dhe Kosova e meriton vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me Bashkimin Evropian, tha ajo.

Në vazhdim, bashkëbiseduesit folën edhe për rrjedhat nga dialogu teknik të Brukselit. Zëvendëskryeministrja Tahiri foli për angazhimet serioze për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve. Në veçanti ajo theksoi se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit do të mundësojë zbatimin e modelit evropian në bashkëpunime ndërshtetërore për kontrollin kufitar dhe ka rëndësi të veçantë për respektimin e ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial mes dyja shteteve.

Znj.Tahiri më tej shtoi se zbatimi i plotë dhe i shpejtë i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë zhbërjen e barrikadave dhe strukturave ilegale serbe për ti hapur rrugë normalizimit dhe demokratizimit të jetës në pjesën veriore të vendit dhe për integrimin e qytetarëve serb të kësaj pjese.

Duke folur për marrëveshjen për bashkëpunime rajonale, zëvendëskryeministrja Tahiri tha se rajoni ka nevojë për më shumë bashkëpunim dhe më pak pengesa dhe se beson se kjo marrëveshje do të kontribuoj për arritjen e këtyre qëllimeve. Ajo sidomos potencoi se angazhimi i Kosovës për reforma evropiane dhe konstruktiviteti në dialog dëshmojnë vizionin evropian të Kosovës andaj duhet shpejtuar integrimin e Kosovës në BE. Nga ana tjetër, ajo vuri në pah se Serbia ka dështuar në zbatimin e plotë të marrëveshjeve dhe rrjedhimisht të kushteve të caktuara nga samiti i Këshillit Evropian në muajin Dhjetor të vitit 2011, duke kërkuar që të rritet presioni ndaj Serbisë për përmbushjen e obligimeve të dialogut.

Zëvendëskryetari i Senatit Belg, z. Pieters e vlerësoi lartë punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e shtetit dhe për të avancuar në rrugën e saj drejt integrimeve në BE dhe në NATO. Ai konfirmoi përkrahjen e vazhdueshme të shtetit Belg për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës duke thënë se Senati Belg do të bëjë gjithë çfarë është e mundur për ta ndihmuar më tej Kosovën. Ai po ashtu përshëndeti rolin konstruktiv të Kosovës në dialogut teknik si një kontribut për stabilitetin rajonal dhe për fuqizimin e perspektivës evropiane për Kosovën.

Last modified: 27 Shkurt, 2012

Comments are closed.

×