Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri takoi të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Suedisë në Kosovë znj. Ingrid Johansson

26 Korrik, 2011

Prishtinë, 26 korrik 2011

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri ka pritur në një takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Suedisë në Kosovë
znj. Ingrid Johansson, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë, rrjedhat e dialogut dhe masat e reciprocitetit në tregtinë e lirë.

Zëvendëskryeministrja Tahiri, duke folur për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për masa të reciprocitetit tregtar, tha se Republika e Kosovës për gati tre vjet ka toleruar asimetrinë tregtare me Serbinë ngase ishte e angazhuar që përmes dialogut teknik të arrihet marrëveshja për tregtinë e lirë midis dy shteteve. Duke qenë se Serbia nuk u tregua e gatshme ti njohë vulat e doganave të Republikës së Kosovës, ne morëm vendimin për masa të reciprocitetit në zbatim të parimeve evropiane dhe CEFTA-së.

Qeveria e Kosovës është e vendosur që të zbatojë me përpikëri këtë vendim dhe mu për këtë ka urdhëruar Policinë e Kosovës që ti marrë nën kontroll pikat doganore 1 dhe 31, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe rendit në Kosovë, si dhe luftimit të informalitetit dhe krimit të organizuar, tha Zëvendëskryeministrja Tahiri.

Znj. Tahiri siguroi diplomaten suedeze se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për politika të bashkëpunimit dhe dialogut dhe se marrëveshjet e arritura paraprakisht mes Kosovës dhe Serbisë janë në proces të përgatitjes për zbatim. Dialogu është  një mundësi për zgjedhjen e problemeve praktike në mes të dy vendeve dhe kontribut për paqen dhe stabilitetin, tha ajo. Ajo kërkoi mbështetjen e Suedisë për integrimin e Kosovës në bashkësinë euro-atlantike, duke veçuar liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale si prioritete për këtë periudhë.

Nga ana e saj e ngarkuara me punë në Ambasadën e Suedisë në Kosovë znj. Ingrid Johansson vlerësoi lartë marrëveshjet e para të arritura mes dy vendeve dhe nevojën për zbatimit e tyre, ndërkaq, shprehu shqetësimin e saj për mosgatishmërinë e Serbisë për marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe mirëkuptimin e reagimit të Kosovës për masa të reciprocitetit. Ajo ftoi të dy vendet që të vazhdojnë dialogun për zgjidhjen e çështjeve praktike në të mirë të qytetarëve dhe të afrimit me BE-në

Znj, Johansson tha se Suedia mbështet perspektivën e qartë evropiane për Kosovën dhe angazhohet që të thellojnë bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve.

Last modified: 26 Korrik, 2011

Comments are closed.

×