Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri priti Kryetarin e Komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu

12 Prill, 2011

Prishtinë, 12 prill 2011

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri priti Kryetarin e Komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu me të cilin biseduan për zhvillimet në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës.

Zëvendëskryeministrja Tahiri shprehu kënaqësinë për takim dhe premtoi përkrahje dhe angazhim maksimal për realizimin e të drejtave të plota të shqiptarëve atje duke thënë se Kosova do të jetë gjithmonë krahë i fuqishëm i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kryetari Musliu informoi zëvendëskryeministren Tahiri për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat me të cilat po përballen. Ai theksoi se edhe pas një dekade Marrëveshja e Konqulit është larg realizimit dhe rrjedhimisht të drejtat e shqiptarëve etnik atje mbeten të diskriminuara, si dhe perspektivat e cunguara shkaktojnë largimin e tyre nga trojet etnike. Z. Musliu kërkoi mbështetje më të madhe nga Kosova për shqiptarët e Luginës së Preshevës në të gjitha planet, duke kërkuar po ashtu që çështja e tyre të përfshihet në dialogun teknik ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur për dialogun teknik midis Kosovës dhe Serbisë, znj Tahiri potencoi se ky dialog i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga SHBA-të trajton çështjet praktike me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve në të dyja vendet dhe nuk përfshinë çështjet politike.  Ajo shprehu bindjen se dialogu do të kontribuojë për forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon dhe afrimin e të dyja vendeve me Bashkimin Evopian dhe bashkësinë evro-atlantike. Në veçanti ajo nënvizoi se trajtimi i barabartë i minoriteteve në gjithë rajonin është një kontribut për  demokracinë, paqen dhe stabilitetin.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për forcimin e bashkëpunimit dhe përkrahjes në të ardhmen.

Last modified: 12 Prill, 2011

Comments are closed.

×