Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri priti ambasadorin e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Islam Lauka

15 Mars, 2011

Prishtinë, 15 mars 2011

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri fillimisht mori përgëzimet nga ambasadori Llauka për detyrën e re në Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe për konsolidimin e institucioneve të reja të saj.

Gjatë takimit u diskutua thellimi i bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e politikës së jashtme, si dhe në të gjitha fushat tjera, duke vënë theksin në intestifikimin dhe në bashkërendimin e veprimeve për zhvillimin e dy shteteve.

Zëvendëskryeministrja Tahiri njoftoi z. Llauka për zhvillimet e dialogut teknik midis shtetit të pavarur të Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ky dialog do të jetë ekskluzivisht për çështje praktike, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, avancimit të agjendës evropiane për Kosovën, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Duke vlerësuar si të suksesshëm raundin e parë të dialogut teknik midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, zëvendëskryeministrja Tahiri tha se ka pasur përparime në dhënien e propozimeve për temat që janë biseduar siç janë: çështja e kadastrit, regjistrit civil, vulave doganore dhe CEFTA-s.

“Kosova është e gatshme për marrëveshje konstruktive, të cilat nuk prekin sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, theksoi zëvendëskryeministrja Tahiri.

Ambasadori Lauka theksoi se Qeveria e Republikës së Shqipërisë e mbështetë plotësisht dialogun teknik midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe vlerësoi rëndësinë që çështjet praktike të cilat janë peng i marrëdhënieve normale në fushën ekonomike, të tregtisë së lirë, lëvizjes së qytetarëve, etj, praktikisht mund të hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Last modified: 15 Mars, 2011

Comments are closed.

×