Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri priti ambasadorin e Republikës Federale të Austrisë në Republikën e Kosovës, Johann Brieger

17 Mars, 2011

Prishtinë, 17 mars 2011
 
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka pranuar përgëzimet e ambasadorit austriak, Johan Brieger për emërimin e saj në postin e zëvendëskryeministres për politikë të jashtme dhe siguri nacionale si dhe për detyrën e saj si udhëheqëse e dialogut teknik të Republikës së Kosovës me Serbinë.

Austria i ka dhënë dhe po vazhdon ti jap përkrahje Kosovës, ka thënë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe ka theksuar se bashkëpunimi mes dy shteteve duhet të thellohet sidomos në fushat e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Zonja Tahiri ka kërkuar që Austria të vazhdojë të mbështesë agjendën euro-atlantike të Republikës së Kosovës. Në dialogun teknik të filluar mes Republikës së Kosovës me Serbinë, zëvendëskryeministrja Tahiri ka kërkuar mbështetje nga shteti austriak, që Kosova të ketë përfitime konkrete dhe të qarta siç janë liberalizimi i vizave, hyrja në marrëdhënie kontraktuale me BE-në si dhe integrimi i plotë i Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Në dialogun e filluar teknik do të adresohen vetëm çështje praktike dhe në asnjë formë nuk do të diskutohet çështja e pavarësisë së Kosovës, sovranitetit, integritetit territoria dhe rregullimit të brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Ajo shtoi se ky dialog ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, rregullimin e raporteve fqinjësore në Ballkan dhe avancimin e agjendës evropiane për Republikën e Kosovës.

Në anën tjetër ambasadori Johann Brieger tha se Austria e përkrah dialogun teknik të filluar mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe shtoi se Austria përkrah agjendën e Republikës së Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian si dhe qartësimin e përfitimeve të Kosovës nga dialogu teknik.

Last modified: 17 Mars, 2011

Comments are closed.

×