Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri priti Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Republikën e Kosovës znj. Songül Ozan

16 Mars, 2011

Prishtinë, 16 mars 2011

Në fillim të takimit znj. Songül Ozan e uroi Zëvendëskryeministren Tahiri për përgjegjësitë e reja si zëvendëskryeministre për politikë të jashtme dhe siguri nacionale, si dhe udhëheqëse e delegacionit të Republikës së Kosovës në dialogun teknik me Serbinë. Ajo tha se këto përgjegjësi janë shumë domethënëse dhe i uroi znj.Tahiri suksese në kryerjen e tyre.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri falënderoj znj. Songül Ozan për vizitën dhe e falënderoj Republikën e Turqisë për përkrahjen e vazhdueshme që po i jep Republikës së Kosovës. Në takim, znj.Tahiri u shpreh për thellimin e bashkëpunimit midis dy shteteve me theks të veçantë në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Në këtë takim Zëvendëskryeministrja Tahiri dhe Ambasadorja Ozan biseduan edhe për dialogun teknik që ka filluar midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministrja Tahiri në cilësinë e drejtueses së dialogut teknik potencoi se ky dialog teknik do të jetë ekskluzivisht për çështje praktike të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe shtoi se ky dialog teknik kontribuon në fqinjësinë e mirë, në bashkëpunimin rajonal dhe është në shërbim të perspektives euro-atlantike të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, zëvendëskryeministrja Tahiri ritheksoi se në këtë dialog teknik assesi nuk do të diskutohet çështja e pavarësisë së Kosovës, sovraniteti, integriteti territorial, unitariteti dhe rregullimi i brendshëm shtetëror i Kosovës. “Do të ofrohen zgjidhje të probleme të natyrës praktike që janë të parapara në planin e Ahtisarit i cili është pjesë e Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës” – tha znj.Edita Tahiri. 

Ambasadorja Ozan tha se shteti Turk e mbështetë këtë dialog për çështje teknike dhe shpreh gatishmërinë për t’u angazhuar aktivisht në të, pasi që e konsideron këtë dialog si një mundësi drejtë përmirësimit të paqes dhe marrëdhënie fqinjësore në Ballkan. Ajo po ashtu shtoi se për Republikën e Turqisë, pavarësia, sovraniteti, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i Republikës së Kosovës janë çështje e kryer.

Last modified: 16 Mars, 2011

Comments are closed.

×