Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri : Në raundin e parë të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë nuk është arritur ndonjë marrëveshje, porse ka përparime në temat e diskutuara

12 Mars, 2011

Prishtinë, 12 mars 2011

Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, udhëheqëse e delegacionit të Republikës së Kosovës për dialogun për çështje praktike me Republikën e Serbisë, është kthyer sot nga Brukseli pas takimit të parë me delegacionin nga Serbia.

Në një konferencë shtypi në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, znj. Edita Tahiri ka thënë se në raundin e parë të dialogut nuk është arritur ndonjë marrëveshje, porse ka përparime në temat e diskutuara.

“Takimi i parë midis dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili u mbajt me 8 dhe 9 mars në Bruksel, them se kishte një rëndësi të madhe, për shkak se Kosova kreu një obligim ndërkombëtar, i cili buron nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e datës 9 shtator 2010”, theksoi znj. Tahiri , duke shtuar se ky dialog me palën serbe dhe shënoi përparime interesante. Dy palët u treguan mjaft konstruktive në përpjekjet për t’i dhënë zgjidhje çështjeve të cilat tashmë dihen.  Është diskutuar për regjistrin civil dhe regjistrin kadastral, dokumente këto që janë marrë nga Kosova që nga koha e okupimit. Pastaj për CEFTA-n, përkatësisht që të gjithë anëtarët e CEFTA-s të jenë pjesëmarrës të barabartë, konstruktiv dhe mos ti pengojnë njëri-tjetrit në forma të ndryshme.

Më tutje znj Tahiri tha se është biseduar edhe për vulat e doganave në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, për dy pikat doganore, 1 dhe 31, të cilat ballafaqohen me vështirësi për shkaqe të pengesave të ndryshme që i ka bërë Serbia me ndërhyrjen e strukturave ilegale paralele. Për të gjitha këto çështje brenda dy ditësh ne si palë dhamë idetë tona për zgjidhje, edhe pala tjetër i dha idetë e veta.

“Në përfundim mund të them se nuk kemi arritur marrëveshje në asnjërën prej këtyre çështjeve, por mund të konstatoj se ka pasur përparime”, pohoi Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri. Dialogu do të vazhdojë. Interesimi ynë është që të mos jetë i gjatë ky dialog, por t ë përfundojë në një periudhë optimale, sepse objektivat e dialogut janë që të përmirësohet jeta e qytetarëve edhe në shtetin e Kosovës, por edhe në atë të Serbisë. Ky dialog i shërben përmirësimit të bashkëpunimit rajonal, por çka është më e rëndësishme ky dialog pritet të kontribuojë në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në Bashkësinë Evropiane dhe të njëjtën gjë edhe Serbia vetë e dëshiron.

Znj. Tahiri ka pohuar se palë e tretë në këto bisedime ishte Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Last modified: 12 Mars, 2011

Comments are closed.

×