Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka pritur sot në takim Ambasadorin Johannes Eigner, Udhëheqës i Departamentit për zgjerimin e BE-së në MPJ Austriake

5 Qershor, 2012

Prishtinë, 5 qershor 2012

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri ka pritur sot në takim z. Johanne Eigner, Ambasador dhe udhëheqës i departamentit për zgjerimin e Bashkimit Evropian në kuadër të Ministrisë për Punë të Jashtme të Republikës së Austrisë.

Fillimisht znj. Tahiri e falënderoi Ambasadorin Austriak për përkrahjen e vazhdueshme që po i japin Kosovës në sferën e diplomacisë, zhvillimit ekonomik, arsimit etj. Të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për marrëdhëniet e mira që ekzistojnë në mes të dy vendeve duke shprehur gatishmërinë që këto marrëdhënie të fuqizohen edhe më shumë në të ardhmen.

Ambasadori Eigner theksoi se shteti Austriak do të vazhdojë të përkrah integrimin e plotë të Kosovës në BE, NATO, OKB si dhe institucione tjera ndërkombëtare. Poashtu, Austria do të vazhdojë mbështetjen e saj dhe lobimin për të shtuar numrin e njohjeve ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit në fund u dakorduan se reformat evropiane të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës janë vlerësuar si hapa të rëndësishëm në rrugën e saj drejt BE-së. Kosova ka dëshmuar seriozitet dhe angazhim edhe në promovimin e bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe ruajtjes së paqes e të sigurisë. Fillimi i Studimit të Fizibilitetit dhe vendimi i fundit për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave janë hapat e parë zyrtar të cilat Kosovës i japin rrugë të qartë për tu bërë anëtare e BE-së.

Në këtë takim mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, z. Johann Brieger.

Last modified: 5 Qershor, 2012

Comments are closed.

×