Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri: Janë arritur tri marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë: për lirinë e lëvizjes, regjistrat civilë dhe njohja e diplomave

3 Korrik, 2011

Prishtine, 03 Korrik 2011

Udhëheqësja e delegacionit të Kosovës per dialog me Serbinë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri  gjatë një konference për media që mbajti në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ka ripërsëritur se marrëveshjet e arritura Prishtinë-Beograd, janë hapi i parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Znj. Tahiri ka thënë se në raundin e pestë të dialogut teknik Kosova si shtet i ri bëri një hap përpara në vendosjen e disa marrëveshjeve ndërshtetërore me shtetin serb dhe vlerësoi se ky proces dhe ky përparim së pari kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve që ka  qenë edhe fokusi dhe interesimi kryesor i Qeverisë, duke shtuar se përmes marrëveshjeve të arritura për lëvizjen  e lirë, për njohjen reciproke të diplomave universitare si dhe regjistrave civil behen hapat e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis këtyre dy shteteve.

“Ky është një hap i parë i Serbisë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Marrëveshja për lëvizjen e lirë është një marrëveshje ku qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë si përfaqësuese kryesore në këto bisedime pra kemi mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sovranitetin e Kosovës, kemi punuar për marrëveshjet që janë në harmoni me ligjet por edhe rezolutën e Kuvendit”, ka thene zëvendëskryeministrja Tahiri dhe ka shtuar se marrëveshja për lëvizje të lirë bazohet në parimin e reciprocitetit të plotë midis këtyre dy shteteve në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve. praktikisht kjo marrëveshje mundëson që qytetarët e Republikës së Kosovës të lëvizin me dokumente të udhëtimit të Republikës së Kosovës në Serbi dhe të gjitha elementet e marrëveshjes janë reciproke.

“Ajo që vlene për qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit në Serbi apo përmes Serbisë,  e njëjta vlene edhe për qytetarët e Serbisë në Kosovë apo nëpër Kosovë”, pohon  zevendeskryeministrja Edita Tahiri. Ajo ka thënë se element i rëndësishëm i marrëveshjes është se të dyja shtetet kanë marrë vendim që përmes lejeve të njoftimeve të bëhet kalimi mes dy vendeve. Prandaj shumë shpejt qytetarët tanë me leje njoftimi të Republikës së Kosovës do të mund të udhëtojnë në Serbi dhe mund po ashtu tu them se këto praktika që kalimi të bëhet përmes lejeve të njoftimit tashmë zbatohet në shumë vende të rajonit.

Për sa i takon njohjes reciproke të diplomave universitare znj. Tahiri tha se është lajm shumë i mirë veçmas për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse ata kryesisht shkollohen në Kosovë dhe më pas kanë vështirësi për nostrifikim diplomash pastaj për vazhdim studimesh apo punësim.

“Sa i përket regjistrave civil marrëveshja parasheh kthimin e kopjeve të certifikuara të regjistrave civil. Kjo është një zgjidhje kalimtare. Ne e kemi pranuar këtë sepse përmes kësaj plotsojmë kuadrin e regjistrit civil dhe plotësojmë një prej kushteve për liberalizim të vizave për çka jemi duke u angazhuar intensivisht”, thekson zevendeskryeministrja Edita Tahiri.  

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri  ka  njohtuar se gjatë këtij muaji do të mbahet raundi i  gjashtë dhe pritet një pako e re marrëveshjesh e cila po ashtu do të jetë në frymën e marrëveshjeve ndërshtetërore te reciprocitetit të vlerave evropiane.

“Si konkluzion mund të them se për Kosovën nuk ka qenë e lehtë të hyhet në dialog me Serbine, sepse dihet  historiku negativ që Serbia ka në Kosovë e ka bërë këtë aktivitete të ndjeshëm dhe rëndë. Por ne kemi marrë këtë vendim si Qeveri sepse kemi ushtruar sovranitetin në politikën e jashtme, kemi marrë obligimin ndërkombëtar sipas rezolutës së OKB-së si dhe kemi vendosur marrëdhënie shumë më të ngushta me BE-në dhe presim që dialogu teknik të prodhojë efekte konkrete drejt afrimit me BE dhe kërkesat tona janë liberalizimi i vizave, hyrja në marrëdhënie kontraktuale dhe përshpejtimi i statusit të kandidatit. Ky është pra konteksti i gjithë angazhimit dhe këto janë objektivat tona”, theksoi udhëheqësja e delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri .

Last modified: 3 Korrik, 2011

Comments are closed.

×