Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe Ministrja Vlora Çitaku u takuan me Kryesuesin e Presidencës së Bashkimit Evropian, Nicolai Wammen

28 Shkurt, 2012

Bruksel, 27 shkurt 2012

Delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i kryesuar nga znj. Edita Tahiri, Zëvendëskryeministre dhe znj. Vlora Çitaku, Ministre e Integrimit Evropian gjatë qëndrimit në Bruksel u takuan me Kryesuesin e Presidencës së Bashkimit Evropian, Nicolai Wammen njëherit Ministër për Çështje Evropiane të Danimarkës. Në takim u bisedua për ardhmërinë evropiane të Kosovës dhe thellimin  e bashkëpunimit mes Kosovës dhe BE-së për të çuar përpara qëllimet e përcaktuara.

Në këtë takim, Delegacioni i Qeverisë së Kosovës foli për vizionin e qeverisë së Kosovës për një Kosovë evropiane duke theksuar se qëllimet strategjike të politikës së jashtme të vendit janë që Kosova sa më shpejtë të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-së. Ato siguruan Kryesuesin e Presidencës së BE-së se qeveria është plotësisht e angazhuar për të realizuar reformat evropiane dhe se procesi i shtetndërtimit në Kosovë ka për bazë parimet evropiane. Procesi i afrimit të Kosovës me BE-në është një proces sinergjik i dyanshëm, andaj krahas angazhimit tonë institucional është me rëndësi qenësore që edhe BE-ja ta rris angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën, tha delegacioni i qeverisë. Në këtë drejtim, ministret e Kosovës në veçanti kërkuan që Këshilli i Ministrave të BE-së të marrë vendimin për t’i hapur rrugë Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, duke argumentuar se ka kohë që Kosova e meriton këtë avancim përkrahë shteteve tjera. Po ashtu u kërkua nga BE-ja që të përshpejtoj me zbatimin e pakos evropiane të akorduar në dhjetor nga Këshilli Evropian, me theks të veçantë për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e marrëdhënieve kontraktuale e tregtare.

Kryesuesi i Presidencës së BE-së, Ministri Nicolai Wammen premtoi angazhimin e plotë të Presidencës daneze për të përparuar agjendën evropiane të Kosovës, duke konfirmuar se agjenda evropiane për zgjerimin gjatë kësaj periudhe që udhëhiqet nga Danimarka, ka në fokus perspektivën e qartë të të gjithë vendeve të Ballkanit perëndimor përfshirë edhe Kosovën si shteti më ri i rajonit. Ai theksoi se Presidenca Daneze fuqimisht e mbështet Republikën e Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian dhe se angazhohet që ajo të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-së. Më tej ai shtoi se Mbretëria e Danimarkës në të njëjtën kohë ka dhënë mbështetje për Kosovën edhe në procesin e liberalizimit të vizave, marrëdhënieve tregtare dhe kontraktuale, të anëtarësimin të Kosovës në BERZH dhe po ashtu mbështet fillimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociimit përmes studimit të fizibilitetit. Danimarka është shumë e interesuar për të vazhduar bashkëpunimin e Kosovës me shtetet e rajonit dhe më gjerë si parakushte që janë për përmbushjen e kritereve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal në rrugën e tyre drejt integrimit evropian, theksoi ai. Kosova ka treguar seriozitet të lartë kohën e fundit në integrimet evropiane duke marrë përgjegjësi të larta shtetërore si në planin e reformave evropiane ashtu edhe në dialogun teknik me Serbinë.

z. Wammen foli për marrëveshjet e fundit të arritura në kuadër të dialogut teknik duke i vlerësuar ato si arritje të një rëndësie të veçantë dhe se pa dyshim që të dyja vendet tashmë janë më afër familjes evropiane. Marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës si dhe nënshkrimi i protokollit teknik për zbatimin e marrëveshjes për IBM kanë mundësuar plotësimin e kushteve të rëndësishme nga Bashkimi Evropian siç janë ai për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe kufij më të sigurt e më të hapur. Presidenca Daneze do ta përcjell shumë afër procesin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve që ka arritur Kosova me Serbinë në kuadër të dialogut teknik duke kërkuar në vazhdimësi nga të dyja palët seriozitet në implementimin e plotë dhe të shpejtë të tyre.

Ministri Danez tha se Presidenca Daneze e ka mirëpritur edhe vendimin e fundit të Baroneshës Ashton dhe Komisionerit Fule si përfaqësues të Komisionit Evropian për të nisur procesin e MSA-së me Kosovën përmes studimit të fizibilitetit. Kosova duhet të vazhdojë me rrugën e saj drejt vazhdimit të reformave të thella evropiane si në drejtësi, sundimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformën zgjedhore etj. 

Last modified: 28 Shkurt, 2012

Comments are closed.

×