Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, është takuar sot me znj. Päivi Laivola de Rosière, drejtoreshë për Zgjerimin e BE-së dhe Ballkanin perëndimor të Ministrisë së Jashtme të Finlandës

6 Mars, 2014

Prishtinë, 6 mars 2014

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur sot në takim delegacionin nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës kryesuar nga znj. Päivi Laivola de Rosière, drejtoresh, z. Aleksi Vakkuri, Këshilltar nga Departamenti për Evropë, Njësia për Zgjerim dhe Ballkanin perëndimor të Ministrisë së Jashtme të Finlandës të cilët ishin të shoqëruar edhe nga znj. Anne Meskanne, Shefe e Misionit Finlandez në Kosovë.

Fillimisht, zëvendëskryeministrja Tahiri foli për angazhimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që është duke u punuar shumë në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga ana e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, për proceset integruese euroatlantike duke shtuar se edhe Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim që presim ta nënshkruajmë në këtë pranverë si dhe liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të jenë pjesë e familjes evropiane, të kenë lëvizje të lirë dhe të mund të zhvillohen ekonomikisht.

Po ashtu znj. Tahiri u ndal edhe tek rrjedhat në zbatimin e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se kjo marrëveshje është dëshmi e stabilitetit dhe paqes të krijuar jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon si dhe ka krijuar kushtet që rendi dhe ligji të funksionojnë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës përfshirë edhe pjesën veriore.

Ndërkaq, znj. Päivi Laivola de Rosière theksoi se Finlanda vazhdon ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike, dialogun për normalizim si dhe po ashtu vlerësohen lartë angazhimet e shtetit të Kosovës në përmbushjen e kritereve për MSA-në dhe për procesin e liberalizimit të vizave pasi që Kosova e ka të qartë rrugën e saj të qenit pjesë e familjes evropiane.

Në fund, të dy bashkëbisedueset u pajtuan që marrëdhëniet e shkëlqyera të gjithanshme në mes të Kosovës dhe Finlandës do të vazhdojnë edhe në të ardhmen me qëllim që ato të ngritën në nivele edhe më të lartë në shumë aspekte. 

Last modified: 6 Mars, 2014

Comments are closed.

×