Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Kuçi: Të gjithë prokurorët, gjykatësit dhe avokatët e kanë një bazë juridike, ligjin

10 Qershor, 2016

Prishtinë, 10 qershor 2016

Me rastin e përvjetorit të 43-të të themelimit të Odës së Avokatëve të Kosovës, zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi mori pjesë në konferencën,  “Mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe juristëve të diasporës”.

Kjo konferencë u organizuar nga ministria e Drejtësisë dhe ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës dhe Oda e Avokatëve të Kosovës.

Me këtë rast,  zëvendëskryeministri Kuçi tha se  ky shënim përvjetori është shënimi i një dite për të drejtat dhe liritë e njeriut njëkohësisht dhe të palëve që ballafaqohen me procedurat e ndryshme gjyqësore.

Më tutje zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se avokatia në Kosovë ka arsye të ndihet krenare me punën dhe aktivitetin e vet për katër dekada në Republikën e Kosovës, ka mbrojtur me dinjitet jo vetëm palët dhe se të gjithë avokatët e mirë të Republikës së Kosovës tani dhe më herët, e kanë bërë punën për ligjin, për lirinë dhe të drejtat e njeriut.

“Mënyra se si ka bërë që të funksionojë puna në prokurori, gjykata dhe avokati, e ka logjikën e funksionimit të plotë të sistemit të rendit dhe ligjit në vendin tonë”, ka thënë z.Kuçi, duke shtuar se nuk do të ketë sistem të mirë ligjor në vendin tonë, nëse nuk do të ketë hapësirë të mjaftueshme për prokurorët tanë që të kryejnë punën në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe profesionale.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se nëse palët, të pandehurit dhe të tjerët, ndihen jo mirë apo ‘u dridhen këmbët’ para prokurorëve dhe gjyqtarëve, poashtu edhe gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet  t’iu ‘dridhen këmbët’ para avokatëve të mirë. Ai po ashtu tha se të gjithë prokurorët, gjykatësit dhe avokatët e kanë një bazë juridike, ligjin.

Zëvendëskryeministri Kuçi më tutje theksoi se kjo konferencë është një sinjal i mirë i shkëmbimit të mendimeve tona, sepse konkurrenca nuk e dobëson sistemin juridik, por e forcon atë.

“Më lejoni t’ju them juve avokatë të vendit dhe ju që vini nga diaspora, që është shumë me rëndësi që të jeni konkurrent dhe ta sillni në Kosovë traditën e atyre vendeve ku respektohen të drejtat e plota të njeriut dhe ku sistemi juridik është i plotë dhe funksional”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi, pas kësaj konferencë, përmes një letre, i është drejtuar me një kërkesë propozim kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për ndarjen e një parcele ndërtimore që do të dedikohej për ndërtimin e objektit për Odën e Avokatëve të Republikës së Kosovës.

Last modified: 10 Qershor, 2016

Comments are closed.

×