Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Kuçi shpreh gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë për të plotësuar të gjitha kriteret, me qëllim të nënshkrimit të marrëveshjes tregtare me BE-në

6 Korrik, 2010

Prishtinë, 6 korrik 2010

Zëvendëskryeministri Kuçi, shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara me qëllim të nënshkrimit të marrëveshjes tregtare me Unionin Evropian.

Ndërkaq, ekspertët e Komisionit Evropian duke çmuar lart punën dhe qasjen e Qeverisë së Kosovës diskutuan detajet konkrete të kësaj marrëveshje, duke përmendur kështu nevojën e krijimit dhe reformimit të një sistemi funksional tregtar e cila do të krijonte besimin se Kosova është e gatshme jo vetëm të negociojë dhe nënshkruaj këtë marrëveshje por edhe të jetë implementuese e saj.

Në kuadër të kësaj marrëveshje ndër të tjera janë diskutuar çështje konkrete në fushën e doganave, rregullat e konkurrencës, të cilat ndikojnë në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investime, mbrojtjen e të drejtave të autorit, reformimin e prokurimit publik, zgjidhjen e kontesteve ndërinstitucionale, eliminimin e barrierave tarifore dhe shumë çështje të tjera që hyjnë në fushën e tregtisë.

Po ashtu, edhe pse CEFTA nuk është pjesë direkte e marrëveshjes tregtare me UE, për ekspertët e Komisionit Evropian CEFTA paraqet një shembull praktik dhe një parakusht të testimit të funksionimit të marrëveshjes së ardhshme tregtare që Kosova mund ta nënshkruaj me Unionin Evropian.

Zëvendëskryeministri Kuçi dhe ministrat e pranishëm treguan vështirësit që Kosova ka në pjesëmarrjen dhe eksportimin e mallrave që garanton marrëveshja CEFTA dhe kërkuan nga të pranishmit që të bëjnë presion të vazhdueshëm në Beogradin zyrtar për të hapur dyert e bashkëpunimit ekonomik.

Marrëveshjet tregtare kërkojnë aprovimin final nga Këshilli Evropian, për cka mungesa e një qëndrimi unik ndaj Kosovës mund të paraqet vëshirësi në nënshkrimin e shpejtë të kësaj marrëveshje, megjithatë ndryshimet që ka sjellur Traktati i Lisbonës me hyrjen e saj në fuqi, duke i dhënë kështu Parlamentit Evropian fuqi të madhe në procedurën e bashkëvendimmarrjes me Këshillin Evropian, paraqet një mundësi reale të arritjes sa më parë të kësaj marrëveshje.

Ekspertët e Komisionit Evropian po qëndrojnë për një vizitë tre ditore në Kosovës, me qëllim të analizimit të gjendjes në lidhje me plotësimin e kritereve të kërkuara për nënshkrimin e marrëveshjes tregtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Unionit Evropian.

Last modified: 6 Korrik, 2010

Comments are closed.

×