Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Kuçi: Republika e Kosovës me një shoqëri shumetnike, si shtet unik- pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s

28 Prill, 2010

Prishtinë, 28 prill 2010

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka shprehur vlerësimin e tij për suksesin që është shënuar gjatë procesit zgjedhor, vitin e kaluar, ku është shënuar një pjesëmarrje inkurajuese e komunitetit serb. Kjo pjesëmarrje ka treguar vullnetin e mirë për t’u integruar në shoqërinë kosovare dhe përkushtimin e përbashkët në ndërtimin e të ardhmes sonë.

“Porosia që qytetarët tanë serbë e përçuan në këtë rast, ishte se ata dëshirojnë të jenë pjesëmarrës dhe të ndërtojnë jetën e tyre në Kosovë. Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i mbështet qendrat e tyre komunale në përgjithësi” ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Pas zgjedhjeve janë konstituuar edhe katër komuna të reja, në Graqanicë, Kllokot, Ranilluk dhe komuna e zgjeruar e Artanës. Autoritetet qeveritare të Kosovës i kanë vizituar këto komuna dhe kanë ofruar mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë fazë, është vlerësuar se procesi i decentralizimit është në fazën e përgatitjeve që në Mitrovicën veriore dhe në Partesh për mbajtjen e zgjedhjeve në këto komuna.

Zëvendëskryeministri ka theksuar se gjatë këtij viti, është duke u punuar në zbatimin e strategjisë për veriun. Kjo strategji mbështet në katër shtylla:

1. Krijimin e komunës së re të Mitrovicës,
2. mbajtjen e zgjedhjeve të lira edhe në tri komuna tjera në veri të vendit,
3. fuqizimin e rendit dhe ligjit dhe,
4. përmirësimin e situatës ekonomike.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në fund të fjalës së tij, ka falënderuar për punën dhe mbështetjen e të gjithë akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë i ka inkurajuar për vazhdimin e reformimit të pushtetit lokal. Ai ka theksuar se ky proces duhet të vazhdojë në përputhje me pakon e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Në takim ka marr pjesë edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Faith i cili ka vlerësuar lart progresin e shënuar në procesin e decentralizimit në Kosovë.

Last modified: 28 Prill, 2010

Comments are closed.

×