Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi : 2 Korriku 1990 –Dita e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese është shembulli më i mirë se si institucionet e një vendi reflektojnë vullnetin e qytetarëve të tij

2 Korrik, 2011

Prishtinë, 2 Korrik 2011

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, me rastin e 2 Korrikut , Ditës së shpalljes së Deklaratës Kushtetuese,  në emër të kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Kosovës ka pritur sot delegatët e Kuvendit të Kosovës të legjislativit të vitit 1990.

Zëvendëskryeministri  Hajredin Kuçi ka thënë se 2 Korriku ka rëndësi jo vetëm në kuptimin historik dhe kombëtar por në kuptimin politik demokratik por edhe juridik për Kosovën.

“Qeveria e Kosovës, unë dhe gjithë qytetarët e Republikës ndihen krenar me atë ditë dhe ju protagonistët e asaj ngjarje që ka rëndësi për ngjarjet që ndodhën më pas”, theksoi z. Kuçi duke shtuar se data e 2 Korrikut është shembulli më i mirë se si institucionet e një vendi reflektojnë vullnetin e qytetarëve .  2 Korriku shënon shkëputjen institucionale me Serbinë. Natyrisht se kjo nuk ka qenë një gjë e lehtë dhe ky është akti më i lartë demokratik deri në atë kohë.

“Sot 21 vite pas nga kjo ngjarje ju duhet të ndjeheni krenar . Kosova ka nevojë ende për juve, për kontributin tuaj për ndërtimin e vendit. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithmonë do të jetë mirënjohëse për njerëzit , për individët dhe ngjarjet që kanë bërë protagonizmin e kësaj historie”, pohoi z. Kuçi.  

Në emër të delegatëve të Kuvendit të Kosovës të vitit 1990 ka falënderuar z. Iliaz Ramajli.

Me këtë rast, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi të pranishmëve u ka dhuruar nga një ekzemplar “Libri i Ditës së Pavarësisë”.
 

Last modified: 2 Korrik, 2011

Comments are closed.

×