Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim përfaqësues të ambasadës së Kroacisë në Kosovë dhe duon artistike “Dina e Mel”

17 Gusht, 2023

Prishtinë, 17 gusht 2023

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ditën e sotme përfaqësues të ambasadës së Kroacisë në Kosovë, Nedjeljko Spilek dhe duon artistike “Dina e Mel”, të përbërë nga Dina Busic dhe Melita Ivkovic.

Në takim u bisedua mbi lidhjet kulturore mes Kosovës dhe Kroacisë, me theks të veçantë në thellimin e kësaj marrëdhënieje përmes organizimit të aktiviteteve kulturore promovuese të përbashkëta dhe bashkëpunimit në këtë drejtim.

Duoja artistike “Dina e Mel” performon këngë të vjetra të arbëreshëve të Kroacisë. Artistja Dina Busic, arbëreshe nga Zadari i Kroacisë, tregoi për iniciativat e ndërmarra dhe projektin e nisur për promovimin e kulturës, gjuhës dhe artit, duke iu referuar si ruajtja e bukurisë së natyrshme të harmonive të arbëreshëve.

Zëvendëskryeministri Bislimi vlerësoi punën e tyre në sjelljen e thesarit muzikor të arbëreshëve si dhe i uroi suksese artistëve për angazhimin dhe përkushtimin në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe artit të arbëreshëve në Kroaci, duke ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij për iniciativa të ngjashme.

Duoja artistike “Dina e Mel”, po qëndron për herë të parë në Kosovë, ku pas koncerteve në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë, sonte do të performojë në festivalin Etno Fest.​

 

Last modified: 17 Gusht, 2023

Comments are closed.

×