Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim lamtumirës shefen e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman

16 Prill, 2024

 

Prishtinë, 16 prill 2024 

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim lamtumirës shefen e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman.

Duke e falënderuar për punën e përbashkët, kontributin e bashkëpunimin, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme ndaj objektivave e prioriteteve tona për një shoqëri gjithëpërfshirëse e vëmendje të plotë edhe ndaj grupeve të margjinalizuara dhe minoriteteve. U përmendën iniciativat e ndërmarra nga Qeveria si platforma Superpuna dhe ndikimi i prodhuar nga ajo, apo edhe Kosovo Generation Unlimited, e cila u cilësua nga znj. Zicherman si një vizion i kthyer në realitet.

“Ne duam të gjejmë sa më shumë instrumente për mbështetjen e qytetarëve, jo vetëm që ajo të jetë e diversifikuar, por edhe të mbërrijë tek sa më shumë qytetarë e të jetë gjithëpërfshirëse. Të rrisim e kultivojmë aftësitë e të rinjve e të vijojmë përkushtimin tonë edhe në uljen e papunësisë” tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Në përfundim të takimit, u theksua dhe rëndësia e procesit të regjistrimit të popullsisë, i cili nisi në datën 5 prill, që do të japë kontribut të volitshëm për të dhëna më të sakta e rrjedhimisht dhe politika më të targetuara, në shërbim të progresit e zhvillimit të vendit. Zëvendëskryeministri Bislimi i uroi znj. Zicherman suksese të mëtejme në angazhimin e radhës.

Last modified: 16 Prill, 2024

Comments are closed.

×