Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi mirëpriti diplomatë të rinj

18 Maj, 2022

Prishtinë, 18 maj 2022

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim diplomatë të rinj nga 33 vende të botës, në kuadër të Shkollës Pranverore, të cilën e organizon Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës​ e Kosovës, në programin e saj të Akademisë Diplomatike.

Zëvendëskryeministri Bislimi i njohu diplomatët e rinj me procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe realitetit politik aktual. Gjithashtu, i prezantoi me tre shtyllat e angazhimit të tij, të cilat janë Integrimi Evropian, Zhvillimi dhe Dialogu. Zhvillimi që po e njeh Kosova, me rritjen e saj ekonomike dyshifrore për vitin 2021, tregon për një vend me përmasa të vogla, por me potencial të madh zhvillimor.

Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe mbi përvojën e tij si kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, duke shprehur rëndësinë e procesit dhe vazhdimësinë e tij.

Gjeneratat e reja janë definuese të së ardhmes tonë të përbashkët, e cila duhet të jetë e karakterizuar nga paqja, demokracia dhe prosperiteti.

Last modified: 31 Maj, 2022

Comments are closed.

×