Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi priti në takim delegacionin e Komitetit Lindor Gjerman

28 Prill, 2022

Prishtinë, 28 prill 2022

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi priti në takim një delegacion nga Komiteti Lindor Gjerman.

Në takim u diskutua mbi veprimet konkrete të Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbështetje të sektorit privat dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Gjithashtu, u potencua puna e bërë në aspektin legjislativ, ku aktualisht po punohet mbi projektligjet për investime të qëndrueshme, për parqet industriale dhe inkubatorët e bizneseve dhe për inovacion dhe ndërmarrësi.

Investimet në burime të energjisë së ripërtëritshme janë objektiv i rëndësishëm i Qeverisë, ndër të tjera me qëllim të ofrimit të qëndrueshmërisë më të madhe për investimet e huaja në Kosovë. Në këtë drejtim, pikërisht partneriteti me qeverinë Gjermane solli një investim prej 169 milionë euro në kuadër të parkut të erës ‘’Selac Windpark’’.

Delegacioni mirëpriti veçanërisht progresin e bërë gjatë vitit të kaluar në zhvillim të ekonomisë. Rritja ekonomike prej 10.53% që njohu vendi gjatë vitit 2021 si dhe avancimet në fusha dhe sektorë strategjikë, i japin hov kapacitetit zhvillimor të vendit dhe tërheqjes së investimeve të huaja.

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×