Zyra e Kryeministrit

Zahir Pajaziti ishte një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – thekson kryeministri Thaçi

31 Janar, 2011

Prishtinë, 31 janar 2011
 

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 14 vjetorit të rënies së komandant Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës
 

Të nderuara familje Pajazit, Zejnullahu dhe Hoxha
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
 

Në kalendarin rënieve heroike për lirinë e Kosovës, – 31 janari i 1997 hyri në histori me emrat e tre pishtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: komandant Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.
 

Që nga dita e rënies së tyre, nuk do të kalojë shumë kohë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dilte hapur në skenën politike, duke hapur kapitullin më të rëndësishëm të historisë së re të Kosovës.
 

UÇK-ja u bë forcë politiko- ushtarake me mbështetje gjithpopullore , sepse në radhët e saj kishte veprimtarë, prijës, ushtarë, komandantë, bij dhe bija të devotshme, që me vendosmëri përfundimtare po i kundërviheshin sundimit shekullor të Kosovës.
 

Rënia e komandantit legjendar Adem Jashari, afirmimi i drejtësisë së luftës sonë luftës për liri, ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës në pikën maksimale, intervenimi ushtarak i NATO-s dhe çlirimi i Kosovës sublimuan përpjekjet shekullore të qytetarëve të Kosovës për liri dhe çlirim.
 

Zonja dhe zotërinj,
 

Deri tek kjo epokë e re e ndryshimeve ishte një çmim i lartë i sakrificës.
 

Ishte çmim për të cilin para 14 vjetësh e flijuan jetën e tyre tre dëshmorët e lirisë,  Zahiri, Hakifi dhe Edmondi.
 

Zahir Pajaziti një jetë të tërë ishte përgatitur dhe edukuar shpirtërisht, fizikisht dhe në aspektin organizativ për t’iu kundërvënë strukturave administrative serbe në Kosovë.
 

Ai kishte kaluar nëpër ngjarjet e rëndësishme politike që shënuan kthesë në historinë e re të Kosovës, duke organizuar dhe marrë pjesë aktive në demonstratat e vitit 1981.
 

Zahir Pajaziti do të shquhet me aftësitë e larta organizative dhe shkathtësitë e rralla operative në kuadër të njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 

Zahir Pajaziti ishte një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës.
 

Prandaj, me plot respekt përulemi përballë emrit, veprës dhe jetës së Komandant Zahir Pajazitit dhe bashkëluftëtarëve të tij Hakifit dhe Edmondit.
 

Po aq dinjitoz dhe të përkushtuar ishin edhe dy bashkëluftëtarët tjerë, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, të dy të shquar për shpirtin e sakrificës, vendosmërinë dhe guximin për veprim.
 

Brenda emrave të tyre qëndron një jetë dinjitoze.
 

Një formim me vlerat më të mira tradicionale të popullit tonë, si:
 

Dashuria ndaj atdheut, shpirti i kulluar idealist, shpirti kryengritës, gatishmëria për veprim, guximi, trimëria dhe fryma e vetëflijimit për interesat kolektive.
 

Tërë këto vlera supreme të shpirtit liridashës Zahiri, Hakifi dhe Edmondi i skalitën si pjesëtarë të strukturave të hershme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 

Ata, më 31 janar 1997, në krye të detyrës do të bien heroikisht.
 

Emri dhe vepra e tyre do të bëhen frymëzim për luftëtarët e lirisë me shembullin e guximit dhe përmasën e flijimit.
 

Zonja dhe zotërinj,
 

Sot, kur kujtojmë luftëtarët e lirisë, Kosova është shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik, i njohur nga 74 shtete.
 

Sot, Kosova, Zahirin, Edmondin dhe Hakifin i nderon ne nivelin më të lartë institucional.
 

Brenda këtij nderimi shtetëror është edhe mbrojtja me ligj e familjeve të dëshmorëve, e invalidëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së.
 

Në 14 vjetorin e rënies së dëshmorëve të lirisë, Kosova është në përfundimin e një procesi të rëndësishëm demokratik, fillim e ndërtimit të institucioneve pas zgjedhjeve të sapopërfunduara.
 

Krijimi i të gjitha parakushteve për ngritjen e institucioneve të forta, legjitime dhe demokratike,  –  ngritja e mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës, –   si   dhe vizioni për integrime euroaltaike janë projekte për të cilat ne angazhohemi me përgjegjësinë më të lartë institucionale.
 

Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve!

Last modified: 31 Janar, 2011

Comments are closed.

×