Zyra e Kryeministrit

Vija kufitare me Malin e Zi në përputhje të plotë me Strategjitë Zhvillimore Lokale të Komunës së Pejës (Dokument)

15 Gusht, 2016

Territori i Kosovës është i përbërë nga territoret e komunave dhe vija përkufizuese e Komunës është vijë administrative. Shuma e sipërfaqeve të komunave e përbëjnë sipërfaqen e përgjithshme të Kosovës. Vija administrative ndërmjet komunave kufitare Junik, Deçan, Pejë dhe Istog të Kosovës dhe komunave Plavë, Beran e Rozhajë të Malit të Zi ishin dhe janë njëkohësisht vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në gjithë periudhën 1974-2015. Kjo vijë administrative ka ngelur e pandryshuar, e pranuar dhe të administruara nga kryetarët e Komunave kufitare Junik, Deçan, Pejë dhe Istog të Kosovës. Asnjë plan zhvillimor e strategjik i  këtyre komunave nuk ka kaluar përtej vijës administrative të territorit të komunës. Në të gjitha dokumentet komunale si për vijën e kufirit dhe të sipërfaqes nuk ka ndryshim dhe nuk e kanë paraqitur as kryetarët e komunave të cekura më herët.

Planet zhvillimore lokale janë të vlefshme për territorin e Komunës.

Komuna e Pejës, të gjitha planet zhvillimore dhe të tjera i ka të planifikuara vetëm brenda kufirit administrativ në 70 zonat kadastrale të saj. Sipërfaqja e Komunës se Pejës me të gjitha zonat kadastrale, shkruan në dokumentet e planeve zhvillimore dhe strategjike është  603km2 Njëkohësisht, ky kufi i paraqitur në hartën poshtë ishte kufi administrativ ndërmjet Komunës së Pejës dhe Komunës së Plavës e Rozhajës të Malit të Zi. Vija administrative Kosovë-Mal i Zi, tani kufiri i Republikës së Kosovës me Malin e Zi është identik me kufirin e shënuar nga komisioni shtetëror.

Komuna e Pejës ka përgatitur planin zhvillimor të  quajtur “Strategjia Zhvillimore Lokale” në  Mars të  vitit  2009 nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës  z. Ali Berisha. Projekti ishte i mbështetur nga BE-ja si shihet edhe logo në vazhdim. Kopja e këtij dokumenti zyrtar është i deponuar edhe në BE.

Kryetari i Komunës se Pejës z. Ali Berisha në faqe 2, për Strategjinë e Zhvillimit Lokal i falënderon mbështetësit dhe ekspertët dhe këtë strategji e quan “…dokument të rëndësisë së veçantë” për Komunën e Pejës.

Shih në vijim fjalën e Kryetarit nga faqe 2 e Strategjisë të Zhvillimit Lokal, (citim) “Në këtë kontekst kam kënaqësinë t`iu përgëzoj për punën që keni bërë në përgatitjen e, duke shfrytëzuar rastin këtu të falënderoj si mbështetjen financiare të Komisionit Evropian ashtu edhe implementuesin e këtij projekti, BDPA-në”.

“Edhe një herë, iu përgëzoj për përgatitjen e këtij dokumenti të rëndësie të veçantë për Komunën e Pejës, i cili trason një rrugë me rëndësi por, njëkohësisht, shumë sfidues për Komunën e Pejës. Me këtë rast nga ana e ime dhe e stafit tim, zotohem se do të ekzistojë në vazhdimësi mbështetje institucionale për arritje të objektivave të kësaj strategjie”.

Deklarata e kryetarit të Komunës se Pejës është bashkëngjitur në vijim, së bashku me kopertinën e Strategjisë zhvillimore lokale e vitit 2009 Pejë.

Në këtë projekt shumë  qartë janë dy gjëra.

E para në faqe 22, kapitulli 3.1 Pasqyrë e shkurtër e Komunës së Pejës, Zona dhe Popullsia (citim)

“Qyteti i Pejës gjendet në qendër të pjesës më perëndimore të Kosovës, rrëzë “Bjeshkëve të Nemuna‟ që ngritën mbi Grykën e Rugovës. Komuna e Pejës është e ndarë në 27 bashkësi territoriale që përfshijnë gjithsej 76 fshatra. Komuna përfshin 603 km² me një popullsi prej rreth 160.000 banorë”.

Nëse Komuna e Pejës do të kishte humbur territor siç pretendohen 82 km2 tani Komuna e  Pejës do t’i kishte 521 km2 , ndërsa nëse i bashkohen 82 km2 që pretendohen, Komuna e Pejës do t’i kishte 685 km2. Natyrisht, edhe Republika e Kosovës  do t’i kishte 10988 km2. Kosova këtë sipërfaqe nuk e kishte asnjëherë.

E dyta, në faqe 23, çështje e rëndësishme në këtë Strategji zhvillimore lokale 2009 është harta e Pejës e që ndërlidhet drejtpërdrejti me vijën kufitare ndërmjet Komunës së Pejës, Republika e Kosovës dhe Komunës se Plavës e Malit të Zi. 

Në këtë hartë shihet kufiri i komunës, kufiri i Krahinës dhe kufiri ndërkombëtar ashtu siç është shënuar në legjendën e kësaj hartë (cepi i djathtë lartë në hartë). Harta e këtij dokumenti zyrtar nga Komuna e Pejës është pa Bjelluhen, Çakorin  dhe Kullën.

Harta zyrtare e Pejës e paraqitur në projektet e strategjive për zhvillim ekonomik si është  “Strategjia Zhvillimore Lokale” ka edhe kufirin e Komunës se Pejës, natyrisht kufiri i Republikës së Kosovës me Malin e Zi është pa asnjë ndryshim në periudhën 1974-1988-2008-2015.

Në përpilimin e kësaj Strategjie për Zhvillim Lokal të Pejës ishin të angazhuar mbi 50 ekspertë nga stafi i Komunës se Pejës dhe të tjerë për qëllime të ndryshme profesionale.

A është e mundur që në vitin 2009, kryetari i Komunës se Pejës, z. Berisha të jetë aq i entuziazmuar me strategjinë apo dokumentin e veçantë, dhe me mbi 50 ekspertë të angazhuar dhe fare nuk e kishte në strategji Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën?

Prapë shtrohet pyetja, a thua gjithë këta ekspertë lokal dhe dy (2) ish kryetarët e Komunës së Pejës, z. Ali Lajçi dhe z. Ali Berisha që i përpiluan dhe i aprovuan dokumentet zyrtare e strategjitë zhvillimore të  Komunës se Pejës, të cilët i quajtën “…dokument të rëndësisë së veçantë”, pse e lanë jashtë dhe nuk parapanë që ta zhvillojnë Bjelluhen, Çakorin  dhe Kullën??!!

Komuna e Pejës në fund të vitit 2009, kishte filluar zbatimin e një projekti digjital të quajtur GIS kabineti. Në këtë web faqe paraqitet edhe harta e Komunës se Pejës me të gjitha 70 zonat kadastrale. Kjo hartë e web–GIS  të Pejës e ka të njëjtën vijë të kufirit nga viti 1974-1988-2008-2015. Kjo nënkupton se vija përkufizuese e Komunës se Pejës, Kosovës me Malin e Zi, është e njëjtë me atë që është shënuar nga Komisioni shtetëror.  

Ndoshta edhe ish kryetari z. Ali Berisha, sikurse ish paraardhësi i tij z. Ali Lajçi  e kanë lënë që Bjelluhen, Çakorin  dhe Kullën ta vendosin në strategjinë e radhës pas viti 2025 sikurse të plani zhvillimor 2006-2025.

Kjo tregon, se  ish kryetarët e Komunës se Pejës, z. Lajçi, z. Berisha dhe kryetari aktual z. Muhaxheri e kanë të qartë se kanë administruar e qeverisur me Komunën e Pejës me sipërfaqe 603km2  me 70 zona kadastrale. Duke e ditur se janë të regjistruara pronat private, shtetërore, publike, fetare, atëherë Komuna e Pejës nuk përfshin territor tjetër. Mos të krijohet huti sepse ligjërisht është e  ditur që nuk ka territor shtetëror jashtë komunave sepse territorin e Kosovës e përbëjnë 38 komuna me zonat e tyre kadastrale.

Komisioni shtetëror ka punuar me përpikëri dhe në bazë të dokumentacionit zyrtar për vijën kufitare ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Malit të Zi të periudhës 1974-1988-2008-2015. Me këtë konfirmohet se Komisioni shtetëror nuk ka lënë asnjë metër katror jashtë territorit të Komunës se Pejës që ajo e kishte, përkatësisht nuk ka lënë asnjë metër katror jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Last modified: 15 Gusht, 2016

Comments are closed.