Zyra e Kryeministrit

Vendoset gurthemeli i çerdhes në Miresh të Gjilanit, investim i MASHTI-t

13 Tetor, 2022

 

Miresh, Gjilan, 13 tetor 2022

“Në vendin tonë kemi nevojë për shtim të numrit të çerdheve, për të përmirësuar qasjen dhe përfshirjen në edukim. Fëmijët dhe të rinjtë janë prioritet i Qeverisë sonë’’, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të çerdhes në fshatin Miresh të Komunës së Gjilanit.

Kjo çerdhe është investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, dhe do të ketë një sipërfaqe prej 708 metra katrorë, e përshtatshme për 60 fëmijë. Tri dhoma do të jenë për qëndrim të fëmijëve nga 0 deri në 2 vjeç, dy dhoma për fëmijë nga 3 deri në 4 vjeç, një sallë për kujdestarë, administratë, kuzhinë, si dhe hapësira teknike.

I shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri tha se janë bërë bashkë e gëzohen shumë për këtë lajm të mirë për më të vegjlit tanë, atyre që iu detyrohemi t’ua sigurojmë një jetë më të mirë dhe më të sigurt.

Ai tha se është vërtetuar nga pa numër studime, që në masën në të cilën edukimi është edhe i hershëm edhe cilësor, përcaktohet edhe suksesi e të arriturat në jetën e mëtutjeshme profesionale të fëmijëve, andaj edhe jemi zotuar se do të angazhohemi për mbështetje të sektorit të arsimit, e veçanërisht zhvillimit të edukimit në fëmijërinë e hershme

Nga Mireshi, kryeministri Kurti paralajmëroi se deri në fund të vitit çerdhe për fëmijë do të hapen në Prizren e në Suharekë, kurse në vazhdën e punimeve për ndërtimin dhe adaptimin e hapësirave, pritet të bëhen çerdhe edhe në Skenderaj, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Junik, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Shtime dhe Malishevë.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në fjalën e saj tha se zhvillimi në fëmijërinë e hershme është një nga pikat e rëndësishme të programit të qeverisë. Ajo rikujtoi se vetëm gjatë muajit shtator janë nënshkruar kontratat për ndërtimin e pesë çerdheve, ndërsa theksoi se synojmë të kemi sa më shumë çerdhe në fshatra për t’iu dhënë mundësi edhe këtyre fëmijëve të kenë qasje në edukimin e hershëm dhe si rezultat edhe në zhvillimin e familjes.

Në fund të muajit shtator ishin nënshkruar kontratat për ndërtimin e pesë çerdheve të reja në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Kamenicë dhe në Miresh të Gjilanit, të cilës iu vendos gurthemeli sot.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

I nderuari Kryetar i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni,
E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuari Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Faton Peci,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arjeta Rexhepi, Hydajet Hyseni, Arbëreshë Kryeziu, Shqipe Selimi, Labinote Murtezi edhe Luan Aliu,

Pra, siç e shihni, jemi këtu me dy ministra e gjashtë deputetë të Kuvendit të Republikës në lajmet e mira sikur ky i sotëm, jemi bërë bashkë e gëzohemi shumë kur e dimë që është lajm i mirë për më të vegjlit tanë. Atyre që iu detyrohemi t’ua sigurojmë një jetë më të mirë dhe më të sigurt.

Andaj, i nderuari Drejtor, motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj, të nderuar banorë të fshatit, ne kemi ardhur këtu për juve, andaj edhe kjo, para së gjithash e mbi të gjitha ju dedikohet juve dhe të ardhmes suaj, pra fëmijëve tuaj.

Në vendin tonë kemi nevojë për shtim të numrit të çerdheve, për të përmirësuar qasjen dhe përfshirjen në edukim. Fëmijët dhe të rinjtë janë prioritet i Qeverisë sonë. Ne jemi zotuar se do të angazhohemi për mbështetje të sektorit të arsimit, e veçanërisht zhvillimit të edukimit në fëmijërinë e hershme.

Është vërtetuar nga pa numër studime, që në masën, në të cilën edukimi është edhe i hershëm edhe cilësor, përcaktohet edhe suksesi e të arriturat në jetën e mëtutjeshme profesionale të fëmijëve, atëherë kur do të rriten, të shkojnë në shkollë, në universitet e të punojnë në profilet e tyre.

Ky ka qenë një zotim i yni e zotimi ynë bëhet puna jonë, kurse puna jonë bëhet për juve.

Përveç për ndërtimin e çerdheve të reja, po punojmë edhe për adaptimin e hapësirave ekzistuese dhe për përmirësimin e kushteve e mjeteve mësimore. Jemi në pritje të përfundimit të çerdhes në Prizren dhe në Suharekë deri në fund të vitit, sepse unë isha të hënën në Gjilan, erdha prapë sot, më vjen keq që nesër s’mund të vijë. Por dikush mund të mendoj se po rri vetëm në Gjilan, por nuk është e vërtetë. Dje isha në Pejë. Pra, edhe në Prizren e në Suharekë do të hapim çerdhe deri në fund të vitit, e në vazhdën e punimeve për ndërtimin dhe adaptimin e hapësirave, pritet të bëhen çerdhe edhe në Skenderaj, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Junik, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Shtime dhe Malishevë.

Është vërtet kënaqësi e madhe që po takohemi sot, për vendosjen e gurthemelit të çerdhes këtu në Dobërçan/Miresh të Gjilanit, një fshat ky përparimtar, i cili ka kontribuar në vlera të shtuara para e pas luftës, veçanërisht mërgata e Mireshit. Ajrin e freskët e ndjemë porsa shkelëm këtu në fshat, dhe jo më kot njihet si fshati më i pastër i Kosovës. E, fshati është i pastër, sepse banorët janë të organizuar dhe këtij fshati piktoresk, i shtrirë buzë lumit të Perlepnicës, me plot jetë e rini, po i shtohet sot edhe një investim i shumëpritur.

Çerdhja e re do të ketë një sipërfaqe prej 708 metra katrorë, e destinuar për 60 fëmijë. Tri dhoma do të jenë për qëndrim të fëmijëve nga 0 deri në 2 vjeç, tri dhoma, dy dhoma për fëmijë nga 3 deri në 4 vjeç, një sallë për kujdestarë, administratë, kuzhinë, si dhe hapësira teknike.

Më lejoni t’ju përgëzoj dhe t’ju uroj punime të mbara në ndërtimin e çerdhes në Miresh.

Ne do të shihemi sërish atëherë kur dyert e kësaj çerdheje do të hapen për vogëlushet dhe vogëlushët e këtij fshati.

Ju uroj të gjithëve!
Ju falemnderit dhe e gëzofshi!

 

Last modified: 13 Tetor, 2022

Comments are closed.

×