Zyra e Kryeministrit

U shënua progres në zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjeve

3 Gusht, 2016

Bruksel, 3 gusht 2016
 
Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka qëndruar në Bruksel në raundin e ri të bisedimeve të ftuar nga Bashkimi Evropian me qëllim zhbllokimin e procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më 25 gusht 2015, të cilat janë bllokuar nga ana e Serbisë tash e një vit.
 
Ky raund i bisedimeve ka qenë maratonik dhe ka zgjatur mbi nëntëmbëdhjetë (19) orë. Me gjithë faktin se këto kanë qenë bisedime mjaft të vështira, por në një atmosferë konstruktive të ndërmjetësuara nga Drejtoresha e BE-së për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin, znj. Angelina Eichhorst, është shënuar progres në zhbllokimin e marrëveshjeve në fushën e heqjes së barrikadës nga ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe marrjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën deklaroj ministrja Tahiri.
 
Angazhimi i Bashkimit Evropian në këto bisedime ka qenë maksimal në mënyrë që këto dy çështje më në fund të zbatohen dhe qëndrimi i BE-së ka qenë i qartë që palët duhet t’i plotësojnë obligimet e tyre zbatuese duke theksuar se ky dialog është për fqinjësinë e mirë dhe është kusht për të dyja shtetet në rrugën e tyre të integrimit evropian.
 
Delegacioni i Republikës së Kosovës ka qenë plotësisht i angazhuar në mbrojtjen e interesave shtetërore duke marrë parasysh se kodi telefonik shtetëror për Kosovën ka një rëndësi të madhe në fushën e telekomunikacionit sidomos në planin sovranitetit ndërkombëtarë në telekom. Ministrja Tahiri theksoi se në çështjen e kodit telefonik për Kosovën bisedimet kanë shënuar progres dhe në ditët në vazhdim do të mbahet takimi i radhës në të cilin do të përmbyllet çështja e kodit telefonik shtetëror për Kosovën.
 
Ministrja Tahiri vlerësoi se angazhimi i grupit punues për çështje të telekomit i kryesuar nga Kreshnik Gashi, kryesues i grupit shtetëror punues për çështje të telekomit në dialogun e Brukselit ka qenë maksimal, si dhe ka treguar kompetencë dhe përgjegjësi të lartë shtetërore për zbatimin e përpiktë të marrëveshjes për telekomin e cila Kosovës ja mundëson kodin telefonik +383 dhe që së shpejti ITU pritet t’ia alokoj Kosovës.
 
Ky raund i bisedimeve u fokusua edhe në çështjen e zhbllokimit të marrëveshjes për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Mitrovicës ku bisedimet zgjatën deri në orët e para të mengjesit të ditës së sotme. Qëllimi i këtyre bisedimeve ishte që sa më shpejtë të fillon procesi i revitalizimit të urës dhe qëndrimi i Bashkimit Evropian ishte i qartë që kjo çështje nuk mund të zvarritet më tej dhe sipas tyre revitalizimi duhet të filloi para datës 15 gusht 2016.

Në kuadër të diskutimeve për hapat praktik të revitalizimit u ritheksua që marrëveshja e arritur më 25 gusht 2015 duhet të zbatohet plotësisht, me fjalë të tjera ura e Mitrovicës të funksionalizohet dhe të jetë urë për lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe automjeteve sipas planit të dakorduar në dialogun e Brukselit. Ishte vlerësim i përbashkët i të tre palëve që hapja e urës për lëvizje të lirë do të jetë simbol i normalizimit të relacioneve mes komuniteteve dhe kjo urë më në fund do të kryejë funksionin e vet si çdo urë në botë që bashkon njerëzit.
 
Delegacioni i kryesuar nga ministrja Tahiri ishte në përbërje edhe të Gazmir Raci, këshilltar politik dhe koordinator politik për telekomin, Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Shqiprim Pula, anëtar i Bordit të ARKEP-it, Ilir Imeri, drejtor i Departamenti të Komunikimeve Elektronike, Visar Halimi, drejtor i Departamentit të Frekuencave në ARKEP, Rexhë Gjonbalaj, kryetar i Bordit të Telekomit të Kosovës (TK), Mehdi Latifaj, drejtor Teknik në TK dhe Zana Bejta, udhëheqëse e Zyrës Ligjore në IPKO.

Last modified: 3 Gusht, 2016

Comments are closed.

×