Zyra e Kryeministrit

U nënshkrua Udhëzuesi për Procedurat Standarde të Operimit për Zbulimin dhe Trajtimin Radiologjik

15 Korrik, 2016

Prishtinë, 15 korrik 2016

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, i cili është edhe Koordinator Nacional për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (MIK), së bashku me kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, Beqir Mezelxhiu, nënshkruan sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme,  “Udhëzuesin për Procedurat Standarde të Operimit Për Zbulimin dhe Trajtimin Radiologjik”.

Zëvendësministri Hoxha dhe z. Mezelxhiu, pas nënshkrimit të këtij udhëzuesi falënderuan grupin punues që kanë punuar në hartimin e këtij dokumenti, njëkohësisht falënderuan për mbështetje Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila përmes programit për sigurinë kufitare (EXBS), ka ndihmuar në hartimin këtij dokumenti me rëndësi vitale për sigurinë e vendit.

Zëvendësministri Hoxha dhe z. Mezelxhiu, para autoriteteve të MIK-ut, argumentuan rëndësinë e këtij akti, duke sqaruar që nënshkrimi i këtij udhëzuesi dokumenton procesin që zyrtarët e Policisë Kufitare dhe Doganave të Kosovës, do të përdorin për të zbuluar të gjitha materialet radioaktive që kalojnë përmes pikës kufitare; procesin që do të përdoret për përcaktimin e ligjshmërisë së substancave radioaktive që janë zbuluar; si dhe reagimin e duhur të personelit të pikës kufitare lidhur me dërgesat e paligjshme.
Ky udhëzues është hartuar për të përmirësuar aftësinë e anëtarëve të personelit të Policisë Kufitare dhe Doganave të Kosovës, për të skanuar persona dhe mjete të transportit për materiale radioaktive që janë jashtë kontrollit rregullator, në përpjekje për të parandaluar kontrabandimin dhe trafikimin e këtyre mallrave. Gjithashtu ky udhëzues ofron udhëzime lidhur me përdorimin e pajisjeve të zbulimit të rrezatimit, të përdorura në Pikat Kufitare në Kosovë, për të skanuar të gjithë trafikun e importit dhe eksportit, për ngarkesa me materiale radioaktive.

Last modified: 15 Korrik, 2016

Comments are closed.

×