Zyra e Kryeministrit

U mbajt mbledhja e Qeverisë së Kosovës

13 Qershor, 2016

Prishtinë, 13 qershor 2016
 
Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 93-të, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, (EULEX Kosova).
 
Zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, prezantoi projektligjin në fjalë.
 
“Ju e dini që të premten kemi miratuar një draft ligj i cili ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare dhe kemi pasur për bazë letrën e presidentit të Republikës dërguar zonjës Mogherini. Në mungesë të një përgjigje tani ka nevojë që ky ligj të modifikohet dhe të quhet Ligji për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Arsyeja kryesore është që tani jemi në ditët e fundit të përfundimit të mandatit aktual të EULEX-it dhe me qëllim të tregimit të përkushtimit tonë për Misionin e EULEX-it në Kosovë dhe rritjen e kapaciteteve tona për rend dhe ligj si dhe për të shprehur gatishmërinë për të vazhduar mandatin e tyre në Kosovë edhe për dy vjet, propozoj që ta miratojmë këtë projektligj dhe ta dërgojmë në Kuvendin e Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
 
Kryeministri Isa Mustafa tha se arsyetimet janë dhënë nga zëvendëskryeministri Kuçi, për ndryshimet që janë dashur të bëhen në mënyrë që të procedohet në Kuvend.
 
“Do ta procedojmë sonte, në mënyrë që të sigurojmë që mbledhja e Kuvendit të thirret para skadimit të mandatit të EULEX-it dhe vendimi i Kuvendit të merret po ashtu para skadimit të mandatit”, tha kryeministri Mustafa.

Last modified: 13 Qershor, 2016

Comments are closed.

×