Zyra e Kryeministrit

U mbajt mbledhja e parë e Qeverisë së Republikës së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë

18 Shkurt, 2008

Prishtinë, 18 shkurt 2008

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e parë pas shpalljes së pavarësisë së vendit, mbledhje kjo që renditet e teta me radhë në përbërjen e re të kabinetit qeverisës.

Takimin e ka udhëhequr kryeministri Thaçi, i cili i ka njoftuar ministrat se së bashku me kryetarin Sejdiu u kanë dërguar shkresat për njohjen e pavarësisë së Kosovës të gjitha shteteve të botës, duke shtuar se është optimist se brenda pak orësh shumë shtete të botës do ta njohin shtetin e ri të Kosovës. Kryeministri Thaçi ka theksuar se populli dhe institucionet e Kosovës, janë mirënjohës për jetë e mot SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s, ndërsa tani jemi partnerë të barabartë dhe do të kemi prezencë civile ndërkombëtare këshilluese për procesin e ri në shtetin e ri të Kosovës, duke shtuar se nga sot fillon ndryshimi i politikës edhe në relacionet Republikë e Kosovës -institucione ndërkombëtare

Anëtarët e kabinetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë vlerësuar shumë pozitivisht procesin e deklarimit të vullnetit të popullit të Kosovës dhe kremtimin e festës së pavarësisë dhe i kanë përgëzuar qytetarët e vendit për festimin dinjitoz të kësaj dite dhe për mirëkuptimin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke potencuar se ky është mesazh shumë i mirë për botën.

Në mbledhjen e parë të punës pas deklarimit të pavarësisë së Kosovës, kabineti qeveritar  ka miratuar vendimin për emërtimin dhe logot e shkresave zyrtare të institucioneve të Kosovës dhe mbishkrimet në të gjitha institucionet e vendit, sipas statusit të ri politik të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar dhjetë projektligje që dalin nga pakoja e Ahtisarit, ligje këto që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e shtetësisë së Kosovës, si projektligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme, projektligjin për Privilegjet dhe Imunitetet Diplomatike, projektligjin për Shtetësinë, projektligjin për Policinë, projektligjin për Inspektoratin Policor, projektligjin për Dokumentet e Udhëtimit, kostoja e të cilit është 10 milion e 400 mijë euro, projektligjin për Simbolet Shtetërore, projektligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, projektligjin për Vetëqeverisjen Lokale, si dhe projektligjin për Kufijtë Administrativ Komunal. Këto dhjetë projektligje të miratuara janë shumë të rëndësishme dhe ndërlidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me shtetësinë e Kosovës dhe do të përcillen në Kuvendin e Kosovës për procedim të mëtejshëm.

Miratimi i këtyre projektligjeve është bazuar në procedurën e veçantë për përshpejtimin e projektligjeve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, miratuar nga Kuvendi i Kosovës më datën 15 shkurt 2008, si dhe rregullën e procedurës së veçantë për legjislacion nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit dhe Legjislacionin e ndërlidhur me statusin e Kosovës, të miratuar nga Qeveria më datë 12 dhjetor 2007 (vendimi Nr. 06/282). Pëlqimin e plotë për miratimin e këtyre ligjeve e ka dhënë edhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

Kabineti ka aprovuar edhe një kërkesë të arsimtarëve, të cilët kanë kërkuar që në orët e para të mësimit t’u flasin nxënësve për pavarësinë e Kosovës. 

Last modified: 18 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×