Zyra e Kryeministrit

U mbajt mbledhja e 87-të e Qeverisë

13 Maj, 2016

Prishtinë, 13 maj 2016
 
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
 
Kryeministri Isa Mustafa në hapje të mbledhjes ka përgëzuar anëtarët e kabinetit për rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka theksuar se angazhimi i të gjithëve ka rezultuar me këtë rekomandim pozitiv dhe ka shprehur angazhimin edhe për përmbushjen e dy kushteve para aprovimit të rekomandimit.

“Dëshiroj po ashtu të shpreh falënderimet edhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse në shumë faza ne i kemi përshpejtuar disa procese dhe kemi pas mirëkuptimin e Kuvendit në votimin e ndryshimeve dhe plotësimin e ligjeve të caktuara, që kanë mundësuar që ne të përplotësojmë të gjitha kriteret që janë kërkuar nga ne. Është një hap shumë i rëndësishëm, është një vendim historik të cilin e ka marrë Komisionin Evropian, sepse me këtë neve na janë hap dyert që të jemi të barabartë me të gjithë qytetarët evropianë. Natyrisht se përfundimisht të barabartë do të jemi në momentin kur Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian do ta votoj propozimin për ndryshimin e rregullores, e cila neve na rreshton në vendet të cilat do të udhëtojnë në vendet e Schengenit pa viza. Ju e dini se janë dhënë edhe dy kushte të cilat ne duhet t’i plotësojmë derisa Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian të votoj. Është çështja e ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi, do të thotë si çështje nuk mund të relativizohet, sepse është dhënë edhe në dokumentin që unë e kam marrë nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, do të thotë në pjesën fillestare të propozimit, është thënë se duhet që ratifikimi duhet të ndodh para se Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian të votoj. Prandaj, mbetet një çështje të cilën ne duhet ta adresojmë. Unë konsideroj se kjo çështje nuk mund të mbetet çështje individuale dhe çështje e një partie politike, ose çështje e një regjioni ose një komune, sepse caktimi i kufijve është çështje e të gjitha institucioneve të shtetit, dhe si e tillë ajo duhet të ndodh, gjithmonë me mundësinë e hapur që çdo argumentim do të merret parasysh edhe në të ardhmen edhe nga Republika e Kosovës edhe nga Republika e Malit të Zi.

Çështjet tjera që kanë të bëjnë me forcimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit, janë çështje për të cilat Qeveria ka treguar përkushtimin e vet. Mund të them se këtë përkushtim e kanë treguar edhe organet e drejtësisë dhe jam i bindur se edhe në këtë aspekt ne do të tregohemi të suksesshëm dhe se do ta marrim votën që e meritojmë përfundimisht që të udhëtojmë pa viza në vendet e Schengenit”, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar nga ministrat më tepër mobilizim dhe punë në mënyrë që të tregohet sukses edhe në fushat tjera ashtu siç është treguar një sukses i jashtëzakonshëm në plotësimin e këtyre kritereve.

Qeveria ka miratuar Koncept dokumentin për personat e zhvendosur dhe zgjidhje të qëndrueshme, i cili trajton çështjet që ndërlidhen me personat e zhvendosur nga janari 1998 deri në mars të viti 2004 si rezultat i luftës dhe situatës së përgjithshme të shkeljes së të drejtave të njeriut.

Edhe vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave që preken nga ndërtimi i rrugës rajonale Klinë-Skenderaj-Polluzhë, ka marrë miratimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me qëllim të mundësimit të funksionimit të Sekretarisë dhe Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, veteranit, invalidit dhe pjesëtarit të internuar të UÇK-së, Qeveria ka ndarë mjetet financiare që do të shërbejnë për mbulimin e shpenzimeve të punës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.
 
Kryeministri Mustafa ka njoftuar lidhur me bisedat që ka pasur me anëtarët e Komisionit dhe pajtimin e kryetarit të Komisionit që kjo të përmbyllet. “Në të vërtetë, premtimi ka qenë që do të përmbyllet me fundin e muajit prill. Mbesin edhe disa çështje që kanë të bëjnë me invalidët dhe me pjesëtarët tjerë që nuk lidhen me veteranët, të cilat do të vazhdohen të kryhen, por do të kryhen në ministritë përkatëse, kryesisht në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale sepse atje pastaj do të përcillet kompetenca e caktuar dhe përgjegjësitë e përcaktuara për ta. Kështu që asnjëri nuk do ta ndjej veten se do të jetë i përjashtuar nga ky proces, por ky proces duhet të rrumbullakohet, është propozimi që të përfundohet, të dorëzohen listat dhe ta kemi të qartë se sa është numri i veteranëve. Mbetet që më vonë të shqyrtohet edhe kjo çështje sepse kemi vërejtje shumë të mëdha për qëndrueshmërinë buxhetore nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, se këto ndërlidhen me marrëveshjen që e kemi me ta, por nuk është çështje të cilën sot mund ta diskutojmë në Qeveri”, tha kryeministri Mustafa.
 
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr.03/58 të datës 27 janar 2012, i plotësuar dhe ndryshuar me vendimin 06/103 të datës 21 nëntor 2012.

Me këtë plotësim ndryshim të këtij vendimi obligohet Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, veteranit, invalidit dhe pjesëtarit të internuar të UÇK-së që deri me 20 maj 2016 të përfundojë punën e tij dhe të dorëzojë raportin për punën e tij në Qeveri.
 
Konform dispozitave kushtetuese është aprovuar nisma e lidhjes së Marrëveshjes për ekstradim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Hungarisë.
 
Qeveria ka themeluar Grupin Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut i cili do të  udhëhiqet nga kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
 
Është miratuar Karta për të Dhënat e Hapura për Kosovën.
 
Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme, janë ndarë mjetet financiare për Zyrën e Presidentit, për pagesën e anëtarëve të Komisionit ad hoc të ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e procesit të demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr.10/168 të datës 29 janar 2014 për emërimin e anëtarëve në Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës, pas debatit u vendos që kjo pikë të shtyhet për mbledhjen e ardhshme.
 
Janë miratuar edhe plotësimet dhe ndryshimet e vendimit të Qeverisë Nr.12/86 të datë 29 prill 2016. Sipas këtij plotësimi dhe ndryshimi zgjedhja dhe pagesa e koordinatorit të zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit do të caktohet nga kryeministri.
 
Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Komitetit të Kosovës për Parandalimin dhe Eliminimin e punës së fëmijëve.
 
Kabineti qeveritar është informuar nga ministri i Shëndetësisë për angazhimin dhe arritjet e deritashme në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, përgatitjet e deritashme për mbledhjen e premiumeve.  Ministri i Shëndetësisë ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar mbledhjen e premiumeve nga 1 korriku i këtij viti, ndërsa është theksuar edhe ngritja e kapaciteteve për realizimin e suksesshëm të këtij projekti.
 
Kryeministri Isa Mustafa para anëtarëve të kabinetit qeveritar foli edhe për përgatitjet për mbledhjen e përbashkët  të dy qeverive, Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë që do të mbahet më 3 qershor. 

“Të gjitha përgatitjet janë duke u bërë. Prandaj ju kisha lutur që të gjitha ministritë që kanë marrëveshje t’i përgatisin marrëveshjet me kohë edhe në pikëpamje tekstuale edhe në pikëpamje teknike dhe pastaj gjatë javës së ardhshme t’i kemi edhe më të qarta. Ministria e Punëve të Jashtme ta bëjë punën e vet sa i përket koordinimit me Qeverinë e Shqipërisë”, tha kryeministri Mustafa.

Last modified: 13 Maj, 2016

Comments are closed.

×