Zyra e Kryeministrit

U mbajt mbledhja e 60-të e Qeverisë së Kosovës

23 Nëntor, 2015

Prishtinë, 23 nëntor 2015
 
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e gjashtëdhjetë me radhë, në të cilën ka miratuar dy projektligje dhe ka marrë disa vendime tjera nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.

Kabineti Qeveritar gjatë mbledhjes është njoftuar edhe me ecurinë e realizimit të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.

Kryeministri Isa Mustafa ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe për vizitën dhe takimet që ka zhvilluar më 18 dhe 19 nëntor në Bruksel, ku, së bashku me zëvendëskryeministrin Thaçi dhe ministrin Çollaku, janë takuar me drejtuesit kryesorë të Bashkimit Evropian.

“Kemi pasur takime të nivelit shumë të lartë, e kemi takuar presidentin e Parlamentit Evropian, z. Martin Schulz, kemi takuar kryetarin e Komisionit Evropian, z. Juncker, kemi takuar po ashtu edhe përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, znj. Federica Mogherini, e kemi takuar komisionerin Avramopoulos, nënkryetaren e Parlamentit Evropian, znj. Lunacek, kemi takuar po ashtu kryetarin e Komisionit për Politika të Jashtme të Parlamentit Evropian, z. Brok, si dhe kemi pas takime me bizneset belge dhe me biznesmenët nga Kosova të cilët veprojnë në Belgjikë, dhe kemi biseduar me ta lidhur me mundësitë e investimeve të tyre në Kosovë.

Mund të them se në të gjitha këto takime, është diskutuar lidhur me gjendjen e sigurisë dhe lidhur me rrezikun që po i kanoset edhe vendeve të BE-së dhe botës nga ekstremizmi, i cili çon në radikalizëm dhe në terrorizëm, dhe lidhur me aleancën e përbashkët që duhet ta bëjmë të gjithë që ta luftojmë këtë dukuri.

I kemi njoftuar lidhur me të arriturat tona sa i përket zhvillimit ekonomik, sa i përket funksionimit të shtetit ligjor dhe prioritetet tjera të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

I kemi falënderuar për përkrahjen e tyre për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe kemi kërkuar që Parlamenti Evropian sa më shpejt të ratifikojë këtë Marrëveshje, meqenëse është ratifikuar në Parlamentin tonë.

Tek çdonjëri prej tyre kemi has në preokupimin e tyre dhe me brengën lidhur me situatën tonë në Parlamentin tonë, me shfaqjet e dhunshme në Parlament, dhe me papajtueshmërinë e plotë të tyre lidhur me atë që çështjet politike të zgjidhen përmes dhunës, sepse është thënë që kjo është hera e parë që në një vend në Evropë, qoftë anëtarë të BE-së apo jo, po shihen akte dhe veprime të tilla, për çfarë është shprehur papajtueshmëri e plotë.

Ajo që ndoshta ka qenë kryetemë e jona atje, ka qenë çështja e liberalizimit të vizave. Në të gjitha këto organe dhe institucione, kemi kërkuar që të liberalizohen vizat, jo si një dhuratë që duhet t’i jepet Kosovës, por si një përgjigje që duhet të na jepet, në saj të asaj që ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret që janë kërkuar prej nesh, si kritere teknike për liberalizim të vizave. Kemi theksuar se mbetet vetëm që të vendoset, të merret vendim politik për liberalizim. Në të gjitha takimet është konstatuar se ne i kemi përmbush kriteret që janë kërkuar nga ne, i kemi njoftuar po ashtu se edhe disa rekomandime përfundimtare të cilat kanë qenë, do t’i përmbyllim brenda dy javëve apo tre javësh. Është fjala edhe për marrëveshjen që duhet ta kemi me Turqinë, si marrëveshje ndërshtetërore lidhur me riatdhesimin, ndërkaq të gjitha tjerat janë të përfunduara, dhe ne presim që raporti të jetë pozitiv në fund të këtij viti për këtë, dhe po ashtu jemi të sigurt që në vitin 2016 qytetarët tanë do të udhëtojnë pa viza. Kur do të fillojnë të udhëtojnë pa viza, natyrisht se nuk jemi ne e as Qeveria jonë ajo që vendos, janë institucionet e Bashkimit Evropian. Mirëpo, është një e arritur shumë e madhe që kemi arritur t’i përmbushim kriteret që janë kërkuar nga ne, dhe që do të kemi një përgjigje pozitive të Bashkimit Evropian për këtë.

Ka pasur edhe interesim të bizneseve që ata të investojnë tek ne, për çka organet konkrete do të punojnë edhe në të ardhmen”, bëri të ditur kryeministri Isa Mustafa.
 
Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Regjistrimin dhe Ofrimin e Shërbimeve dhe Masave për Punësimin e të Papunëve, Punëkërkuesve dhe Punëdhënësve, i cili rregullon procedurat e regjistrimit dhe ofrimit të shërbimeve nga Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës.

Edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Plotësimet dhe ndryshimet e bëra në ligj, do ta bëjnë atë më të zbatueshëm dhe më të qasshëm për këto kategori të shoqërisë sonë.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Infrastrukturës.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për kursimin dhe ndarjen e mjeteve financiare  në pajtim me nenin 13 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015.

Qeveria e Republikës së Kosovës, me vendimin e miratuar sot, ka ndarë mjete në vlerë prej 13 mijë eurosh, për mbulimin e shpenzimeve të Delegacionit nga Republika e Kosovës, të angazhuar në gërmimet vlerësuese në regjionin e Rashkës. Këto gërmime bëhen për të zbuluar dhe eks-humuar mbetjet mortore të të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Planit të Dokumenteve Strategjike për vitin 2015, ku është përfshirë edhe Strategjia për sigurimin e cilësisë për arsimin para universitar 2016-2020.

Me qëllim të përmbylljes së aktiviteteve të planifikuara për këtë vit, Qeveria ka ndarë mjetet shtesë për Zyrën e Presidentit, në vlerë prej 105 mijë eurove nga shpenzimet e paparashikuara.
 
Lidhur me ecurinë e realizimit të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, kryeministri Isa Mustafa theksoi se është fjala për një projekt tepër të rëndësishëm për Kosovën dhe është e arritur shumë e madhe arritja e marrëveshjes me kompaninë “Contour Global” dhe me Bankën Botërore, si një prej mbështetësve kryesor të financimit të këtij projekti.

“Indikatorët e financimit janë mjaftë të mirë, sepse na del një normë mesatare e ponderuar e kapitalit diku 11.7. Ka qenë frika e normës së brendshme të kthimit e cila ka qenë  e madhe dhe që për investitorin nënkuptonte se kapitali  kthehet për 3 vjet ose 3 vjet e gjysmë. Kjo nënkupton se kapitali i investitorit mund të kthehet për rreth 5 vjet, mirëpo pjesa tjetër konsiderohet ndryshe. Ndërkaq, ne do të sigurojmë që ekonomia e ardhshme, qytetarët, të kenë energji të mjaftueshme dhe të përballojmë nevojat për energji. Pastaj do të shohim brenda Qeverisë se si do ta kapërcejmë këtë periudhën e vakuumit energjetik që mund të na shkaktohet në fund të viti 2017 me mbylljen e Termocentralit “Kosova A”, ose me gjetjen e një alternative të zhvillimit të  pjesërishëm, apo të tërësishëm të këtij kapaciteti energjetik për të cilin është folur edhe përpara në Qeveri. Efektet janë tepër të rëndësishme sa i përket një burimi themelor të zhvillimit ekonomik në të ardhmen, janë të rëndësishme po ashtu edhe sa i përket pun
simet të kapaciteteve gjatë fazës së ndërtimit, sepse është fjala për një investim prej 1 miliard eurove, që  përballon kapacitete të rëndësishme të punësimit për periudhën për të cilën do ta zgjatë ndërtimi i Termocentralit dhe po ashtu edhe efektet e drejtpërdrejta në punësim që do t’i kemi pastaj me aktivizimin e këtij Termocentrali. Ne i japim mbështetje të plotë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe grupit ndërministror që po punon në këtë, dhe po ashtu Qeveria do të përcjell të gjitha fazat e realizimit të këtij projekti, sepse është një prej projekteve me të rëndësishme ekonomike që zhvillohet në vendin tonë”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka informuar me ecurinë pozitive në kuadër të projektit të “TC Kosova e Re”.

“Pas fazave të mëhershme të përmbyllura në kuadër të këtij procesi dhe hapjes së negociatave, pas pranimit të ofertës financiare nga kompania amerikane, në cilësinë e investitorit, zhvilluesit dhe financuesit të projektit “Contour Global”, ne kemi përmbyllur një pjesë të rëndësishme të negociatave sidomos për ato pika të cilat kanë qenë objekt i negocimit, e që kanë mundur potencialisht të ndikojnë materialisht në projekt. Në vizitën e fundit që kemi pasur në Uashington me të vetmin qëllim, në selinë e Bankës Botërore, pra për të diskutuar rreth këtyre pikave, ne kemi arritur marrëveshje sidomos në dy pika kyçe të cilat kanë efekte në tërësinë e projektit:
–           njëra që lidhet me kapacitetin e njësisë gjeneruese dhe tjetra,
–           me normën e brendshme të kthimit

Pasi që ne edhe me programin tonë qeveritar kemi dy objektiva të vendosura në fushën e energjisë, pothuajse në mënyrë të barabartë të rëndësishme, atë të sigurimit të furnizimit me energji elektrike dhe atë të përballueshmërisë së çmimeve, të gjitha opsionet dhe të gjitha projeksionet i kemi vënë në dispozicion të objektivit të dytë, pra të përballueshmërisë së çmimeve. Edhe pas analizës së të gjitha varianteve, ne kemi vendosur që ta kemi një njësi gjeneruese me 500 Megavat dhe pastaj jemi pajtuar me investitorin privat që norma e brendshme e kthimit në ekuitet, pra në pjesën e kapitalit të vet me të cilin ai do të kontribuoj të zbres dukshëm nga intervali sa është propozuar 23 deri 27 për qind, në një normë shumë më të vogël dhe shumë më të pranueshme, që është 21.5 për qind. Pastaj, me këto dy pika të rëndësishme të zgjidhura ne jemi kthyer në Prishtinë dhe kemi mbajtur një takim të Komitetit Drejtues të projektit “Kosova e Re”, me të gjithë anëtarët që kanë të drejtë vote dhe anëtarët e tjerë në cilësinë
e vëzhguesve dhe kemi marrë vendim që ta shpallim si ofertues të preferuar dhe në ndërkohë ata duhet ta dërgojnë edhe fletëgarancinë me të cilin pastaj neve na hapet rruga që ta nënshkruajmë memorandumin e mirëkuptimit.

Këtu bëhet fjalë për një kapacitet gjenerues prej 500 megavat, me një kosto totale investive prej 1 miliard euro, prej të cilave 30 për qind sigurohen nga kapitali vetjak i investitorit privat dhe 70 për qind nga institucionet dhe organizatat financiare.

Norma e brendshme e kthimit është 21.5 për qind për pjesën e 300 milionëshit apo 30 përqindëshit, kurse, për pjesën tjetër si normë e interesit, llogaritet një përqindje prej 7.5 për qind, pra në 70 për qind. Nëse këto të dyja në mënyrë kumulative i bëjmë bashkë atëherë neve na del një mesatare e përgjithshme do të jetë prej 11.7  për qind, që është përsëri një normë mesatare e volitshme, sidomos kur kemi të bëjmë me projekte të kësaj natyre.

Në kuadër të punësimit, sipas një parallogarie të kompanisë flitet për 10 mijë vende të punës gjatë ndërtimit, deri në komisionim, dhe pastaj pas komisionimit për 550 vende të përhershme pune. Po ashtu, për sa i takon kritereve ambientaliste, në fillim është paraparë që përqindja e efiqiencës të jetë 37 për qind, dhe tash do të jetë 40 për qind. Pra, përmbushet edhe kriteri ambientalist dhe kjo hynë në kuadër të projekteve me teknologjinë më të avancuar, të njohura në terminologjinë profesionale si super kritike dhe kemi vetëm edhe një teknologji më të avancuar që është ultra kritike, por që në dy shtete, deri më tash, ende nuk ka funksionuar. Përveç kësaj, mos të harrojmë që ne do ta kursejmë buxhetin e shtetit, pra nuk do të ketë asnjë cent kontribut nga buxheti i shteti, dhe gjithçka pastaj mund ta ruajmë ndoshta në një periudhë të mëvonshme nëse dëshirojmë t’i aktivizojmë disa mekanizma për t’i zbutur edhe më shumë efektet në tarifa. Ju e dini që edhe tash në studimet e fundit llogaritë që janë bërë vetëm në sektorin privat, ka pasur humbje rreth 300 milionë euro në vjet, si rezultat i mos furnizimit të rregullt me energji elektrike. Po ashtu, kjo njësi gjeneruese do ta bëjë edhe më të rëndësishme linjën e interkoneksionit 400 KV të cilën, po ashtu, besoj se brenda dy javësh do ta inaugurojmë, dhe ndoshta do të jemi nga vendet  e para që në kuadër të projekteve me të cilat marrim pjesë në Traktatin e Komunitetit të Energjisë, pra projektin “Kosova e Re” dhe Linja e interkoneksionit, që do të krijojmë mundësinë e një tregu të përbashkët, i cili më vonë do të jetë pjesë e tregut rajonal evropian, i ashtuquajtur tregu trans evropian për energjinë.

Cilët do të jenë hapat e ardhshëm?

Brenda dy javësh ne presim që ta nënshkruajmë Memorandumin e Mirëkuptimit dhe pas kësaj i hapim rrugë fazës së ardhshme të përmbylljes komerciale të marrëveshjeve që janë të parapara. Pas përmbylljes komericale, do ta kemi pakon tenderuese për ndërtimin e Termoelektranës. Pas përmbylljes së saj, do ta kemi mbylljen finale financiare dhe fillohet me ndërtim. Të gjitha këto faza, deri te ndërtimi, do të marrin kohë 9-12 muaj. Mendohet orientimesh që tash një vit, nga fundi i viti të ardhshëm, apo fillimi i viti 2017 të niset me ndërtim, dhe pas 4 deri në 5 vjet ndërtim të komisionohet kjo Termoelektranë. Këto pra, janë të dhënat e përgjithshme për projektin dhe hapat e ardhshëm të cilët ne duhet t’i ndjekim deri në realizimin final të tij”, tha ministri Stavileci.

Last modified: 23 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×