Zyra e Kryeministrit

U mbajt mbledhja e 53-të e Qeverisë së Republikë së Kosovës

16 Tetor, 2015

Prishtinë, 16 tetor 2015
 
E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e rregullt, të 53-tën me radhë në të cilën ka miratuar vendime të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
 
Në fillim të mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa, përmes një deklarate në mbledhjen e Kabinetit Qeveritar, ka shpalosur qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.
 
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për prokurimin publik, ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar. Projektligji trajton modifikimin e çështjeve përmes freskimit të procedurave ekzistuese dhe atyre te reja që janë identifikuar si të nevojshme gjatë zbatimit të Ligjit për prokurim publik. Me ndryshimet dhe plotësimet e ofruara synohet rritja e efikasitetit dhe ngritja e performancës së shpenzimit të parasë publike.
 
Në mbledhjen e sotme është miratuar nisma e nënshkrimit të marrëveshjes ndërkombëtare për “Modernizimin e shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, me Unicredit Bank Austria AG.
 
Është miratuar edhe nisma për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për bashkëpunim dhe ndihmë reciproke në çështje doganore.
 
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin përfundimtar të shpronësimit për interes publik të pronave dhe zotëruesve të interesit në pronat të cilat prekën nga ndërtimi i pikë-kalimit kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, në Stançiq të Komunës së Gjilanit.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu ka themeluar Komisionin ndërministror për Çështje të Komuniteteve.
 
Kabineti Qeveritar, është informuar edhe për raportin e performancës së të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore për periudhën janar-shtator 2015. Të hyrat e përgjithshme buxhetore gjatë periudhës janar-shtator kanë arritur në 1 miliard e 65 milionë euro, që është një rritje prej 7.8 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kryesisht si rezultat i aktivitetit të shtuar ekonomik në Kosovë. 

Last modified: 16 Tetor, 2015

Comments are closed.

×