Zyra e Kryeministrit

U mbajt akademi përkujtimore për Dëshmorët Ilir Konushevci dhe Hazir Mala

9 Maj, 2016

Tiranë, 9 maj 2016
 
Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, të hënën në Tiranë janë bërë homazhe dhe është mbajtur akademi përkujtimore me rastin e tetëmbëdhjetë vjetorit të rënies së Dëshmorëve të Kombit, Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.
 
Të pranishëm në këto dy ngjarje ishin drejtues të lartë të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, përfaqësues të Ushtrisë Shqiptare dhe të FSK-së, bashkëluftëtarë të dëshmorëve dhe qytetarë nga Kosova e Shqipëria.
 
Në emër të Qeverisë së Kosovës të pranishmëve në akademi iu drejtua ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.
 
Ministri Haki Demolli, foli për jetën dhe veprën heroike të Dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.

Ministri Demolli tha se përmbushja e detyrave të luftës me përgjegjësinë më të lartë, puna e palodhshme, gatishmëria për sakrificë, si dhe rënia e hershme në kohën kur frontit të luftës i nevojitej më së shumti, Ilir Konushevcin e bënë që të radhitet përkrah bashkëluftëtarëve dhe heronjve të orëve të para të lirisë, siç janë Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Adrian Krasniqi, Luan Haradinaj, Sali Çekaj, Hakif Zejnullahu, e shumë e shumë trima të tjerë të kombit.                     

Ministri tha po ashtu se atdhedashësi Hazir Malaj, jo vetëm që u shqua për aktivitetin e tij patriotik, por njëherësh ai u shndërrua në udhërrëfyes për shumë të rinj dhe trima, si të Malësisë së Gjakovës ashtu dhe nga e tërë Shqipëria, të cilët iu bashkëngjiten UÇK-së dhe luftuan trimërisht përkrah vëllezërve Kosovar.

“Lufta e filluar nga Iliri, doktor Haziri dhe shumë e shumë dëshmorë të tjerë nuk u ndal deri në fitoren përfundimtare, pra deri në çlirimin e plotë të Kosovës.

Gjaku i dëshmorëve të kombit dhe lufta e drejtë çlirimtare, pastaj vrasja, torturimi, masakrimi i popullatës civile nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe, trokitën në ndërgjegjen e botës, dhe kështu u krijua fronti i përbashkët me aleancën më të madhe ushtarake në botë NATO-në, i cili front përfundimisht solli lirinë e  Kosovës. Çlirimi i Kosovës e bëri realitet ëndrrën e të gjithë dëshmorëve tone, e bëri realitet ëndrrën, mundin dhe gjakun e të gjithë heronjve, luftëtarëve, veprimtarëve dhe martirëve të lirisë, i bëri realitet aspiratat dhe dëshirat e shumë brezave të popullit tonë, e bëri realitet projektin e arkitektit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidentit tonë historik, Ibrahim Rugova.

Tashmë Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe Sovran, i cili dita ditës po e sforcon  subjektivitetin shtetëror, si në rrafshin nacional ashtu edhe në atë ndërkombëtar, fakt ky që u dëshmua edhe gjatë javës së kaluar, me rekomandimin për liberalizimin e vizave si dhe me anëtarësimin e FFK-së në UEFA.

Kështu, sot kemi krijuar një realitet të ri politik shtetëror dhe kombëtar, duke e zhvilluar dhe sforcuar bashkëpunimin tonë kombëtar, si një komb me dy shtete, duke vazhduar zhvillimin tonë, në rrugën e trasuar nga gjaku i heronjve të kombit, si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i zi, diaspora e më gjerë”, tha ministri Demolli, duke shtuar se gjaku i heronjve është gjak i derdhur në themelet e lirisë, është gjak i sforcimit të bashkëpunimit kombëtar.

“Prandaj populli jonë dhe shtetet tona përjetësisht do t’iu jenë mirënjohës Ilirit, Hazirit dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë”, tha ministri Demolli.
 
Zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Petro Koçi, ka përkujtuar se 9 Majin Ditën e Evropës, ditën e fitores mbi fashizmin dhe ditën e veçantë për dy Dëshmorët, Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.

“Nga ana tjetër më duhet të them që ne vërtetë kemi dy shtete, kemi dy qeveri, dy kryeministra, dy ministra të Mbrojtjes dhe FSK-së, por s’ka konventë ndërkombëtare që të ndaj më dysh dëshmorët, çdo dëshmor i Kosovës është edhe dëshmorë i Shqipërisë dhe çdo dëshmor i Shqipërisë është dëshmorë i Kosovës.

Më lejoni që në këtë ditë të veçantë të rikujtoj edhe njëherë rolin e madh që ka luajtur Shqipëria në ato ditë të vështira. Pa diskutim që loja kryesore e Shqipërisë ka qenë në planin politik dhe diplomatik. Shqipëria fjalën e parë të diplomacisë në atë kohë e ka pasur Kosovën dhe vetëm Kosovën”, tha Koçi, në fjalën e tij.
 
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, tha se Ilir Konushevci e kishte lidhur jetën dhe rënien e tij heroike me një vepër të madhe, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe luftën për realizimin e saj.

“Ai u bë një ndër themeluesit e lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarë me armë, luftëtarë me mendje, luftëtarë me zemër, luftëtarë me gjithë familjen e tij. Sakrificat dhe rreziku nuk i ndalën as pushka e arma e regjimit pushtues të Millosheviqit. Ai u vra në një ditë maji të vitit të madh të luftës sonë për liri, bashkë me atdhetarin dhe veprimtarinë, mikun e tij të mirë dhe të pandarë Dr. Hazir Malaj. Kosova dhe të gjithë ne do të kemi përgjithmonë obligim themelor nderimin e veprës së të rënëve. Do të përulemi përherë para emrit, veprës dhe jetës së Heroit tonë Ilir Konushevci dhe mikut të urtë, Hazir Mala”, tha ambasadori Lladrovci.
 
Përfaqësuesi i Familjes së Heroit Ilir Konushevci, Arton Konushevci ka kërkuar që institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë të bëjnë më shumë për familjet e dëshmorëve.

“Ne kemi mbetur peng të kësaj vrasje, nuk dimë asgjë, siç thashë kanë kaluar 18 vjet. Shpresojmë që edhe bashkëluftëtarët e Ilirit që kanë qenë shumë të afërt me të, të nisin të bëjnë diçka për këtë vrasje. Kujtimi për dëshmorët qoftë i paharruar”, tha Konushevci.
 
Të pranishmit në këtë akademi i ka përshëndetur edhe Gjeneral Brigade, Gëzim Hazrolli, zëvendëskomandant i FSK-së, si dhe publicisti Virgjil Kule.

Last modified: 9 Maj, 2016

Comments are closed.

×