Zyra e Kryeministrit

U mbajt Akademi Përkujtimore për Dëshmorët e Kombit Ilir Konushevci dhe Hazir Mala

9 Maj, 2017

Tiranë, 9 maj 2017
 
Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në Tiranë është mbajtur Akademi Përkujtimore dhe janë bërë homazhe me rastin e nëntëmbëdhjetë vjetorit të rënies së Dëshmorëve të Kombit, Gjeneral Major Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Mala.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin drejtues të lartë të institucioneve të Kosovës, familjarë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve Ilir Konushevci e Hazir Mala dhe qytetarë nga Kosova e Shqipëria.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, të pranishmëve në këtë Akademi iu drejtua zëvendësministri i FSK-së, Muhamet Latifi.

Duke vlerësuar lartë luftën e lavdishme të Dëshmorëve të Kombit, Ilir Konushevci e Hazir Mala, zëvendësministri Latifi, tha se për dallim nga luftërat çlirimtare të popujve të tjerë, organizimi dhe lufta e UÇK-së në këtë drejtim ka pasur dy përparësi, sepse Kosova ka pasur Shqipërinë si bazë të zonës së lirë në prapavijë dhe ka pasur njerëzit dhe rrugët e saj për furnizimin me armatim të UÇK-së.

Të pranishmit në këtë Akademi me nga një fjalë i kanë përshëndetur kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini dhe gjenerali i FSK-së, Enver Cikaqi.
Ndërsa në emër të familjarëve të heronjve, të pranishmit i përshëndeti, bashkëshortja e heroit Hazir Mala, znj. Fatime Mala.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me këtë rast ndau dekorata për dy heronjtë,  Ilir Konushevci e Hazir Mala.
Pas fjalimeve, u shfaq dokumentari titulluar “Buka e UÇK-së, historia e grupit të logjistikës-Mërgimi”.
 

Fjala e zëvendësministrit të FSK-së, Muhamet Latifi në Akademinë Përkujtimore:

Është ndjenjë e posaçme e dhembjes dhe krenarisë, për ne që sot po përkujtojmë përvjetorin e 19-të të vrasjes së heronjve dhe dëshmorëve të kombit, këtu në Muzeun Historik Kombëtar, në godinën e kujtesës së qenies dhe ekzistencës tonë kombëtare, në kryeqytetin e Shqipërisë, bashkërisht  me Kosovën e lirë, shtet të pavarur dhe nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.                                                                                                                          

Të nderuar të pranishëm,
                                                                                                                       
Nga historia e luftërave çlirimtare është e ditur, se fillimi i çdo lufte kryengritëse, i çdo lufte guerile çlirimtare, është  jashtëzakonisht  i vështirë, derisa ajo të  merr formën dhe përmasat e zhvillimit të saj strukturor dhe territorial.
Për dallim nga luftërat çlirimtare të popujve të tjerë, organizimi dhe lufta e UÇK-së në këtë drejtim ka pasur dy përparësi, sepse Kosova ka pasur Shqipërinë si bazë të zonës së lirë në prapavijë dhe  ka pasur njerëzit  dhe rrugët e saj për furnizimin me armatim të UÇK-së.

Me plotë të drejtë mund të thuhet se Shqipëria, Veriu i saj dhe në veçanti Tropoja ishin arteriet kryesore të lëvizjes dhe furnizimit me armatim të luftës çlirimtare në Kosovë.
Për këtë arsye, strategët ushtarakë të UÇK-së i kushtuan rol të rëndësishëm funksionimit të logjistikës në territorin shqiptar, njerëzve që do të punonin aty, lidhjet që do të krijonin ata jo vetëm me autoritetet shtetërore, por edhe me popullatën e zonës e cila do të afektojë nga zhvillimet e luftës në Kosovë.

Jo rastësisht, për këtë detyrë jeta e kishte përgatitur  të madhin Ilir Halit Konushevci, djalin nga Llapi të lindur me 20 qershor të vitit 1969 në fshatin Llugë, të Podujevës, fshat ky i njohur  për kontributin dhe djemtë e tij që ka dhënë për lëvizjen kombëtare shqiptare.
Pa dyshim se ndikim dhe frymëzim për veprimtarinë  e përkushtuar të Ilirit deri në flijimin për fitore, ka pasur rënia heroike në vitin 1989 e dy bashkëfshatarëve, e dy shokëve dhe bashkëveprimtarëve të tij, pra të Afrim Zhitisë dhe Bedri Sokolit. 
Rrethanat e rënduara që u krijuan në Kosovë pas vrasjes së Zahir Pajazitit dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, në janar të vitit 1997, ndikuan që Iliri të vazhdoj aktivitetin e tij patriotik në Shqipëri.
Në këtë periudhë kohore, Iliri përveç që e përfaqësonte Zonën Operative të Llapit në Shtabin Qendror të UÇK-së, ai ishte caktuar si person përgjegjës për mbështetje logjistike dhe furnizim me armatim  të luftëtarëve të UÇK-së. Kjo detyrë e bëri Ilirin,  që të bashkëjetonte me çdo bashkëluftëtar në front, me çdo dëshmorë të rënë, si dhe të jetonte  me shqetësimin e përhershëm për furnizimin e shokëve me armatim dhe municion të mjaftueshëm.

Për të përmbushur me sukses detyrën e besuar,  Ilirit ju deshtë që të hynte në Kosovë me dhjetëra herë, duke sjellë personalisht armatim dhe municion të llojllojshëm për shokët e luftës. Përmbushja e detyrave të luftës me përgjegjësinë më të lartë, puna e palodhshme, gatishmëria për sakrificë, si dhe rënia e tij e hershme, në kohën kur frontit të luftës i nevojitej më së shumti, Ilir Konushevcin e bënë që të radhitet përkrah bashkëluftëtarëve dhe heronjve të orëve të para të lirisë, siç janë Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Adrian Krasniqi, Edmond Hoxha, Luan Haradinaj, Sali Çekaj e shumë e shumë trima të tjerë të kombit.                     
Zhvillimin e aktivitetit  në Veriun e Shqipërisë, Iliri nuk e kishte aspak të lehtë, sidomos në rrethanat e krijuara pas ngjarjeve të njohura të vitit 1997 kur  sundimi i ligjit nuk respektohej në masën e kënaqshme.

Në këto rrethana, Iliri me kujdes duhej të zgjidhte bashkëpunëtorët  vendas, atij i nevojiteshin për bashkëpunëtorë, patriotët me vetëdije të lartë kombëtare, që e donin lirinë, që e donin atdheun përtej kufijve administrativ shtetëror, i nevojiteshin njerëz që e donin kombin shqiptar,  i nevojiteshin njerëz të fjalës, të besës dhe të pushkës.
Prandaj, ai jo rastësisht kishte zgjedhur për bashkëpunëtorë më të afërt, për bashkëpunëtorë deri në vdekje, tropojanin  60 vjeçar, humanistin dhe mjekun e shquar  Hazir Mala.

Atdhedashësi Hazir Mala, jo vetëm që u shqua për aktivitetin e tij patriotik, por njëherësh ai u shndërrua në udhërrëfyes për shumë të rinj dhe trima, si të Malësisë së Gjakovës ashtu dhe nga e tërë Shqipëria, të cilët iu bashkuan UÇK-së dhe luftuan trimërisht përkrah vëllezërve kosovar, madje duke mbajtur edhe pozita të larta komanduese, siç ishte rasti me komandantin e zonës Tahir Sinani.  Nuk ka dyshim se aktiviteti ushtarak në rrethana të pasigurta lufte, në një ambient të turbullt politik, është punë sa e vështirë aq edhe e rrezikshme, e cila mund të ketë edhe çmimin e saj të lartë.

Në rrethana të këtilla,  në një natë Maji, konkretisht më 9 maj të vitit 1998, vriten heronjtë tanë Ilir Konushevci dhe Hazir Mala, të cilët ishin në krye të detyrës, me mision për të dërguar armatim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Kosovë.
Pavarësisht spekulimeve mbi kryerësin dhe motivet e kryerjes së vrasjes së tyre, një është e sigurt, se vrasja e këtyre dy trimave në vlugun e aktivitetit të tyre patriotik e luftarak, i shkoi për shtati vetëm pushtuesit serb dhe aleatëve të saj, sepse ky shtet ishte në luftë të përgjithshme me shqiptarët, me përpjekje të vazhdueshme për dëbimin e popullit shqiptar nga trojet e tyre etnike, asimilimin deri në zhdukjen biologjike të popullit tonë.

Të nderuar të pranishëm,                                                                                                     

Lufta e filluar nga Iliri, doktor Haziri dhe shumë e shumë  dëshmorë të tjerë nuk u ndal deri në fitoren përfundimtare, pra deri në çlirimin e plotë të Kosovës.
Gjaku i dëshmorëve të kombit dhe lufta e drejtë çlirimtare, pastaj vrasja, torturimi, masakrimi i popullatës civile nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe, trokitën në ndërgjegjen e botës, dhe kështu u krijua fronti i përbashkët me aleancën më të madhe ushtarake në botë NATO-në, i cili front përfundimisht  solli lirinë e  Kosovës.

Çlirimi i Kosovës e bëri realitet ëndrrën e të gjithë dëshmorëve tonë, e bëri realitet ëndrrën, mundin dhe gjakun e të gjithë heronjve, luftëtarëve, veprimtarëve dhe martirëve të lirisë, i bëri realitet aspiratat dhe dëshirat e shumë brezave të popullit tonë.
Kështu sot kemi krijuar një realitet të ri politik shtetëror dhe kombëtar, duke e zhvilluar dhe sforcuar bashkëpunimin tonë kombëtar, si një komb me dy shtete, duke vazhduar zhvillimin tonë, në rrugën e trasuar nga gjaku i heronjve të kombit, si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i zi, diaspora e më gjerë.

Sot për bashkëpunimin tonë politik, ekonomik, arsimor, kulturor, sportiv,  nuk i shfrytëzojmë më  dhiaret e malësisë, por kemi autostradën e kombit, që paraqet një arterie të rëndësishme e cila lidhë Tiranën dhe Prishtinën.
Si formë e këtij bashkëpunimi, është edhe mbajtja e mbledhjeve të përbashkëta të dy Qeverive të shtetit, të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për të thelluar ndërveprimin dhe integrimin tonë kombëtar. 
Kësisoj rruga e filluar e bashkëpunimit patriotik ndërmjet Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt, tashmë ka fituar përmasat e bashkëpunimit kombëtar dhe shtetëror.

Ky bashkëpunim është intensiv edhe në rrafshin e sigurisë, konkretisht ne jemi duke zhvilluar një bashkëpunim profesional ndërmjet  Forcave të Armatosura të Shqipërisë si një anëtarë i aleancës së NATO-së dhe FSK-së, e cila shumë shpejtë do të bëhet ushtri e Kosovës në bashkëpunim të plotë me NATO-n dhe faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtar.
Respektivisht jemi duke zhvilluar një bashkëpunim vëllazëror ndërministror, ndërmjet  MFSK-së dhe
Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë.

Vërtetë, jemi thellësisht të bindur se ky realitet i ri në të cilin po realizohet bashkëpunimi i këtillë intensiv në rrafshin kombëtar, është plotësimi më i mirë i amanetit të heronjve të kombit, duke bërë që ata të pushojnë të qetë, sepse në këtë mënyrë po realizohen idealet e tyre.
Gjaku i heronjve, është gjak i derdhur në themelet e lirisë së shtetit tonë, është gjak i sforcimit të bashkëpunimit kombëtar, prandaj populli ynë dhe shtetet tona përjetësisht do t’u jemi mirënjohës Ilirit, Hazirit dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë.

Si veprim mirënjohës i kësaj natyre, ishte edhe dekorata me urdhrin “Hero i kombit” e ish-Presidentes Jahjaga në qershor të vitit 2011,  me të cilin është nderuar Dëshmori i Kombit, Ilir Konushevci.
Po ashtu, si simbol i mirënjohjes dhe respektit institucional e shtetëror, në kazermën  “Adem Jashari” të FSK-së në Prishtinë, para komandës së Batalionit të Mbështetjes Operacionale është vendosur dhe qëndron krenare shtatorja  e Heroit Ilir Konushevci, e cila  po shërben si një burim frymëzimi dhe inspirimi për angazhimin dhe veprimtarinë e të gjithë ushtarëve dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lavdi Heroit të Kombit Ilir Konushevci,
Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit Hazir Mala,
Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë në luftën për liri, 
Ju faleminderit.

Last modified: 9 Maj, 2017

Comments are closed.

×