Zyra e Kryeministrit

U inaugurua Kompleksi Memorial “Baza e parë e UÇK-së”

5 Maj, 2016

Prishtinë, 5 maj 2016

Organizuar nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot u inaugurua Kompleksi Memorial “Baza e parë e UÇK-së”, në fshatin Lladoc të Podujevës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Social, Arban Abrashi, në emër të Qeverisë së Kosovës, para të pranishmëve foli për veprimtarinë heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës dhe Iliri Konushevcit.

Në inaugurimin e këtij Kompleksi Memorial, të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe familjarë të dëshmorëve dhe të rënëve për Kosovën. 

“Veprimtaria dhe rënia heroike e Zahirit, Hakifit, Edmondit, Ilirit dhe e të gjithë të rënëve të tjerë në altarin e shenjtë të lirisë së atdheut, ridëshmoi përpara botës se shqiptarët e Kosovës i ngjajnë feniksit që ringrihet nga hiri i vet dhe nuk ligështohet asnjëherë, madje as atëherë kur të tjerët mendojnë se tashmë i kanë nënshtruar”, tha ministri.

Ministri Abrashi, tha po ashtu se në këtë ditë të veçantë nderohet familja e Hakif Zejnullahut, e cila u dha strehë, bukë, kripë e zemër luftëtarëve të lirisë, pjesëtarëve të parë të UÇK-së në këto anë.

“Pikërisht në këtë shtëpi, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe bashkëluftëtarët e tyre më të ngushtë, i planifikonin të gjitha aksionet e UÇK-së, pas të cilave sërish ktheheshin këtu, në vatrën e tyre më të sigurt”, tha ministri Abrashi.

Fjala e plotë e ministrit Abrashi në ceremoni

Jemi mbledhur sot këtu në Lladoc të Podujevës për ta përuruar kompleksin memorial “Baza e parë e UÇK-së”, e cila ka shërbyer edhe si depoja e parë e armëve të saj. Në këtë ditë të veçantë të kujtesës sonë nacionale, ne nderojmë dhe falënderojmë posaçërisht familjen e Hakif Zejnullahut, e cila u dha strehë, bukë, kripë e zemër luftëtarëve të lirisë, pjesëtarëve të parë të UÇK-së nga këto anë. Pikërisht në këtë shtëpi, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe bashkëluftëtarët e tyre më të ngushtë, i planifikonin të gjitha aksionet e UÇK-së, pas të cilave sërish ktheheshin këtu, në vatrën e tyre më të sigurt.

Rrethanat në të cilat u themelua dhe veproi UÇK-ja në Llap, si kudo në Kosovë, ishin të jashtëzakonshme, ashtu siç ishin të jashtëzakonshme edhe vendosmëria dhe sakrifica e familjeve që i shndërruan shtëpitë e tyre në baza të saj. Ky dimension i jep vlerë unike luftës sonë për liri, i jep vlerën e humanizmit universal, sepse lufta e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, në fakt, ishte luftë për ngadhënjimin e qytetërimit evropian përballë mendësisë së errët nacionalshoviniste të Millosheviqit dhe të makinerisë së tij.

Kosova pati vullnetin e pavdekshëm të njerëzve të saj më të mirë për të jetuar të lirë në shtëpinë e vet, në tokën e të parëve, të cilën e deshën dhe e mbrojtën qëkur dihet për historinë e kësaj pjese të botës.

Me këtë rast, dua të ritheksoj se ne, shqiptarët e Kosovës, asnjëherë nuk e zgjodhëm luftën si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me të tjerët, porse lufta na u imponua për shkak të shtypjes dhe terrorit të paparë ndaj nesh, për shkak se brutaliteti i kësaj shtypjeje, sidomos në dekadën e fundit të shekullit XX, po e rrezikonte ekzistencën tonë fizike. Dhe, siç ka ndodhur përherë gjatë historisë sonë tragjike e të lavdishme, në çaste të tilla të rënda, kur rrezikohej vetë mbijetesa e popullit, shqiptarët kanë ditur të ngrihen me guxim kundër tiranisë, duke sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe mirëqenien e atdheut të vet.

Veprimtaria dhe rënia heroike e Zahirit, Hakifit, Edmondit, Ilirit dhe e të gjithë të rënëve të tjerë në altarin e shenjtë të lirisë së atdheut, ridëshmoi përpara botës se shqiptarët e Kosovës i ngjajnë feniksit që ringrihet nga hiri i vet dhe nuk ligështohen asnjëherë, madje as atëherë kur të tjerët mendojnë se tashmë i kanë nënshtruar.

Të dashur pjesëmarrës,

Bashkëqytetarë të nderuar,

Republika e Kosovës po shënon çdo ditë rezultate të mëdha në udhën e saj të pakthyeshme drejt integrimeve në familjen evropiane. Ky vit, pa dyshim, do të kujtohet si vit i lajmeve të rëndësishme për vendin tonë, lajme të cilat nuk vijnë assesi vetëm si dhuratë nga miqtë tanë në Bashkimin Evropian dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, por, para së gjithash, vijnë si rezultat i punës, durimit dhe këmbënguljes së paepur të popullit dhe të institucioneve të Kosovës për t’i përmbushur kriteret e nevojshme për të qenë pjesë e kësaj familjeje, prej së cilës na kishin shkëputur padrejtësisht.

Nëse dikur motivi ynë ishte liria dhe pavarësia e Kosovës, sot motivi ynë është puna dhe sakrifica e atyre që sollën lirinë dhe pavarësinë e vendit. Është borxhi ynë për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht, për vende të reja të punës, për rini me perspektivë në vendin e tij. Për një Kosovë të barabartë për të  gjithë burrat e gratë e saj, pavarësisht dallimeve kulturore, etnike apo sociale. Për një Kosovë të njohur ndërkombëtarisht, fytyra e së cilës në botë janë të rinjtë dhe të rejat e saj që po shënojnë suksese të jashtëzakonshme duke e valëvitur flamurin tonë me krenari.

Kosova ndonëse vend i vogël është shembull i rrallë i bashkëjetesës shekullore në mes njerëzve me kombësi e besime të ndryshme. Prandaj ne do t’i ruajmë dhe do t’i kultivojmë këto vlera me vendosmëri  sepse vetëm kështu sakrifica e atyre që ranë për liri dhe pavarësi realizohet në idealin e një Kosove moderne dhe evropiane.

Në fund, për ta përmbyllur këtë fjalë përshëndetëse, dua t’ju përgëzoj të gjithëve për përurimin e kësaj baze të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës, me bindjen se kujtesa ndaj së kaluarës është udhërrëfim shumë i rëndësishëm për ta ndërtuar të ardhmen.

Zoti i bekoftë heronjtë e Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Iliri Konushevci!

Zoti i bekoftë të gjithë ata që punuan dhe u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! 

Last modified: 5 Maj, 2016

Comments are closed.

×