Zyra e Kryeministrit

Tahiri: Bashkëpunimi mes komunave të Kosovës dhe Turqisë në frymën e Evropës 2020

18 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 18 dhjetor 2015

Ministria për Dialog, Edita Tahiri, qëndroi në një vizitë dy ditore në Turqi, me ftesë të kryetarit të Komunës së Uzunkopru, Enis Isbilen, komunë kjo e binjakëzuar me komunën e Prizrenit. Gjatë këtij qëndrimi ajo u prit nga kryetarët e komunave të Uzukopru dhe Edirne, si dhe mbajti një ligjëratë në Universitetin e Trakias.

Në takimin e zhvilluar me kryetarin e Komunës Uzunkopru, Enis Isbilen, ministrja Tahiri vlerësoi lartë rëndësinë e bashkëpunimit mes komunave duke theksuar se strategjia për Evropën 2020 ka për bazë rritjen e partneritetit mes komunave për të ndërtuar një Evropë të bashkuar të shteteve, të qyteteve dhe qytetarëve. Binjakëzimi mes Prizrenit dhe Uzunkopru është një shembull i mirë në këtë drejtim dhe duke qenë vet nga Prizreni do të angazhohem që ky bashkëpunim të thellohet sa më shumë në të ardhmen, theksoi ajo, duke shprehur po ashtu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Kryetari i komunës Isbilen theksoi se kjo është një ditë e shënuar për qytetin tonë, Uzunkopru është i nderuar me vizitën tuaj si përfaqësuese e Qeverisë së Kosovës dhe personalitet i rëndësishëm në luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi. Ai theksoi se bashkëpunimi i kësaj komune me komunën e Prizrenit do të përfshijë fusha të rëndësishme ekonomike dhe kulturore. Po ashtu gjatë ditës, Tahiri mori pjesë në takimin me politikanë, intelektual dhe biznesmen nga ky qytet të cilëve iu drejtua me një fjalë rasti për zhvillimet e shtetndërtimit dhe integrimin euroatlantik të Kosovës si dhe situatën në rajon. Një takim i veçantë u zhvillua edhe me kryetarin e Bashkisë, Kemal Yıldız, me ç ‘rast u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen. Për nderë të vizitës së ministres Tahiri, orkestra simfonike e Universitetit të Trakias mbajti një koncert solemn.

Në ditën e dytë të vizitës, ministrja Tahiri u prit në Edirne nga kryetari i komunës, Rexhep Gurkan, me të cilën bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit ndërkomunal si dhe falënderoi komunën e Edirnes për mbështetje në planin arsimor për studentët e Kosovës që studiojnë në Universitetin e Trakias. Ajo theksoi se Kosova vlerëson mbështetjen e Turqisë dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve do të avancojnë edhe më tej në të ardhmen. Shqiptarët në Turqi dhe turqit në Kosovë janë një edhe një urë tjetër lidhëse mes dy shteteve dhe dy kombeve, tha ajo. Kryetari i komunës Gurkan, i cili është me origjinë shqiptare nga Kosova, shprehu kënaqësinë e veçantë për vizitën e ministres Tahiri, duke theksuar se vizitat dhe bashkëpunimi duhet të jenë më të shpeshta në dobi të bashkëpunimit në fusha konkrete dhe se mbështetja jonë për Kosovën do të jetë e vazhdueshme. Edirne ka potenciale mjaft të mëdha dhe ne jemi të gatshëm të këmbejmë përvoja dhe të zhvillojmë bashkëpunim ekonomik, kulturor, arsimor dhe sidomos jemi të interesuar dhe kemi lidhje dhe miqësi me komunën e Prizrenit. Në librin e përkujtimeve për Ataturkun, Tahiri e vlerësoi atë si lider të krijimit të Turqisë moderne. 

Ministrja Tahiri, më pastaj u prit në Universitetin e Trakias nga rektori, Yener YÖRÜK, me të cilin bisedoi për bashkëpunimet për rëndësinë e bashkëpunimeve ndëruniversitare. Rektori Yoruk i dhuroi ministres librin mbi veprimtarinë e Sami Frashërit të botuar nga Universiteti i Trakias. Ajo mbajti një ligjëratë me studentët e katedrës së gjuhës të cilëve u foli për historikun e ndarjes së shqiptarëve dhe për Kosovën e ardhmërinë demokratike dhe euroatlantike, ndërsa u ndal në historikun e ardhjes së shqiptarëve në Turqi gjatë shekullit njëzet për shkaqe të shtypjes dhe spastrimit etnik të skemave serbo-Jugosllave, por që asnjëherë nuk harruan atdheun e tyre. Shqiptarët janë integruar në shoqërinë turke si një faktor pozitiv gjë që i bënë marrëdhëniet mes dy vendeve edhe më të fuqishme, theksoi ministrja, Edita Tahiri. 
 

Last modified: 18 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×