Zyra e Kryeministrit

Shala: Qeveria e përkushtuar për adresimin e sfidave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

29 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 29 dhjetor 2015

Kryesuar nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala, u mbajt takimi i dytë i Komitetit Drejtues Ndërinstitucional për vitin 2015, për Zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, 2009 – 2015.
Zëvendëskryeministri Shala, shprehu përkushtimin maksimal të komitetit në përmbushjen e përgjegjësive që i takojnë. Ai po ashtu foli për dinamikën e punës që është bërë deri më tani, në  tre faza, për takimet e mbajtura në Prizren, Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe në Prishtinë si dhe për formimin e Ekipit Punues për hartimin e Strategjisë.
“Duke u bazuar në konsultat e gjëra në takimet rajonale me akterët, grupin punues, punëtorit e organizuar për fushat tematike dhe në harmoni me legjislacionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për hartimin e dokumenteve strategjike, duke pasur për bazë edhe raportet e institucioneve, organizatave ndërkombëtare, ne tani kemi një draft dokument që shënon edhe fazën finale të këtij procesi, pra fazën e tretë, që nënkupton aprovimin në institucione të Strategjisë së re dhe të Planit të ri të Veprimit 2016-2020. Draft strategjia në fjalë dhe Plani i Veprimit për përfshirjen e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian 2016-2020 përmban këto objektiva: 1) edukimin; 2) shëndetësinë;  3) punësimin  dhe mirëqenien sociale, dhe  4) banimin”, tha Shala.
Zëvendëskryeministri Shala, tha po ashtu se Strategjia dhe Plani i Veprimit synojnë adresimin e problemeve në këto katër fusha për të siguruar gjithëpërfshirje të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në shoqërinë kosovare. “Qeveria Kosovës, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal do të ofroj zgjidhje për tejkalimin e sfidave në këto katër fusha, duke krijuar mundësi për përmbushjen e qëllimeve të Qeverise së Kosovës për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në sistemin arsimor, në punësim, në shëndetësi dhe për të ofruar kushte më të mira për banim”, tha zëvendëskryeministri Shala.
Në cilësinë e kryesuesit të Komitetit Drejtues, zëvendëskryeministri Shala kërkoi përkushtim për angazhimin konkret në përmbushjen e obligimeve që janë pjesë e përgjegjësive dhe mandatit që kanë ministritë respektive.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani uroi që ky proces të jetë një proces përmbajtjesor. “Kam kërkuar edhe nga zyrtarët e Ministrisë që të jenë sa më konkret, dhe objektivat të cilat janë përcaktuar me këtë strategji, të arrihen dhe të jenë objektiva të cilat janë të arritshme, mirë të menduara dhe të buxhetuara. Ministria është koshiente për objektivat që strategjia i parashtron Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në sferën e banimit. Sfidat të cilat i kemi përpara duhet të mos i anashkalojmë, janë përvoja e viteve të kaluara, duhet të mësojmë nga to, në mënyrë që mos të na përsëriten në periudhën e ardhshme”, tha ministri Agani.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, foli për nevojën e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dikastereve përkatëse, si dhe që objektivat dhe veprimet të vendosen nga ministritë e linjës në afate kohore.  “Gjatë këtij procesi kemi pasur edhe partnerë që e kanë ndihmuar këtë proces, si Komisioni Evropian, Qeveria Zvicerane, Qeveria Norvegjeze, organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare, OSBE, Këshilli i Evropës, etj”, tha Hajredini.
Ndërkaq, zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku tha se në fushën e shëndetësisë rezultatet janë të prekshme. “Qe tri vite, Instituti i Shëndetit Publik, e bënë vaksinimin e popullatës së këtyre komuniteteve derë më derë. Sipas raportit që e kemi ne, mbi 1.500 qytetarë janë vaksinuar në këtë mënyrë. Problem e kemi te qasja, jo tek buxheti, andaj mendoj se në realizimin e kësaj Strategjie duhet të na ndihmojnë edhe organizatat lokale të këtij komuniteti. Ajo që do të bëjmë për herë të parë vitin e ardhshëm, është skanimi për kancer të gjirit në Fushë Kosovë dhe në Obiliq, në janar të vitit të ardhshëm do të shkoj mamografi mobil”, tha zëvendës ministri Sadiku, duke theksuar se objektivat e parapara me Strategjinë e re, Ministria e Shëndetësisë është e gatshme që t’i forcoj, dhe rezultatet e arritura do të jenë më të mëdha.
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qazim Rrahmani, tha se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me seriozitetin më të madh ka dhënë kontribut maksimal në grupet punuese. “Ministria jonë ka nisur të punoj dhe të ndihmoj seriozisht këto familje. Ka ndihmuar dhe po ndihmon këto familje. Strategjia sektoriale 2014-2020 nuk përjashton ndonjë komunitet, por është gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët”, tha zëvendës ministri Rrahmani.

 

Last modified: 29 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×