Zyra e Kryeministrit

Serbia ka pranuar opinionin e GJND-së, duke përfshirë edhe Deklaratën e Pavarësisë – thekson Kryeministri Thaçi

28 Shkurt, 2012

Prishtinë, 28 shkurt 2012

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi priti në një takim ish-presidentët e Republikës së Shqipërisë, z.Alfred Moisiu dhe z.Rexhep Meidani, me të cilët bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, në Shqipëri dhe në rajon.

Pas takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Alfred Moisiu dhe z. Rexhep Meidani, u prononcuan para mediave.

Deklarata e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:

Ishte një kënaqësi e veçantë për mua të takohesha me ish-presidentët Moisiu dhe Mejdani. Falënderoj që të dytë ish-presidentët për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe historik për lirinë, çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, sepse që të dy kanë shërbyer në pozicionin e presidentit të Shqipërisë në periudha të ndryshme: Presidenti Meidani në periudhën e luftës, të çlirimit dhe të fitores së Kosovës kundër Serbisë, Presidenti Mojsiu në periudhën e rëndësishme të përmbylljes së procesit për shpalljen e Kosovës të pavarur dhe sovrane.

Andaj, në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të qytetarëve të Kosovës, i falënderoj shumë për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme, kontributin e tyre jashtëzakonisht të respektuar nga të gjithë ne.

Kam pasur kënaqësinë që të kemi bashkëpunim të shkëlqyer me të dy presidentët në kuadër të angazhimeve të tyre.

Sot janë në një takim në Prishtinë, prandaj kisha kënaqësinë që t’i prisja dhe t’i falënderoja në zyrën time për punën e tyre të jashtëzakonshme për Shqipërinë, për Kosovën, për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin.

Deklarata e ish-Presidentit të Shqipërisë, Alfred Mojsiu:

Dua të falënderoj Kryeministrin Thaçi për mundësinë që ta takoj dhe të themi disa mendime shumë të rëndësishme lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Erdhëm në angazhim në konferencën sa i përket amandamentimeve, që mund t’i bëhen Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Dua të them që Kosova bëri katër vjet, dhe për ne, për çdo shqiptar, është një kënaqësi që shohim ndryshime të mëdha, në drejtimin politik, ekonomik, ndryshime në tërësi, në kulturën ligjore dhe politike.

Sigurisht që krahas kësaj kënaqësie, dëshirojmë t’iu urojmë të ardhme sa më të mirë, integrim sa më të shpejtë në strukturat euro-atlantike, ku Shqipëria do të japi ndihmesën e saj, pasi dihet se Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s, por njëkohësisht pesha ndërkombëtare e Republikës së Kosovës është duke u rritur dhe po rritet në vazhdimësi.

Marrëveshja e fundit do të kontribuojë për arritjen e këtyre sukseseve të mëtutjeshme.

Deklarata e ish-Presidentit të Shqipërisë, Rexhep Mejdani:

Është kënaqësi për të bashkëbiseduar me Kryeministrin Thaçi një nga miqtë e mi të vjetër, me të cilin luftuam bashkë për çlirimin e Kosovës. Jam nga shqiptarët, që kanë përjetuar zhvillimet në Kosovë, si pedagog universiteti fillimisht në Universitetin e Prishtinës, në periudhën 1976-1981, dhe në atë kohë thoja që fuqizimi i kulturës dhe i shkollimit do ta bëjë Kosovën e pavarur.

E përjetova këtë liri dhe pavarësi të Kosovës nëpërmjet këtij bashkëpunimi të fuqishëm me komandantët, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe me kryeministrin e sotëm, si komandant dhe drejtor politik i asaj ushtrie.

Bashkëveprimi ishte shumë i fuqishëm për fuqizimin e Kosovës si shtet. Po ta shikoni me kujdes, ishte rezoluta 1244 që i dha çlirimin Kosovës, paketa Ahtisaari që ju dha të drejtën për të shpallur pavarësinë e vendit, të njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare, dhe njëkohësisht me veprimet e fundit dhe me angazhimin e fuqishëm të kryeministrit të Kosovës, ju po hapni dritaret e integrimit të Kosovës, duke hapur fuqishëm këtë dritare të integrimit të Kosovës në NATO dhe BE. Kjo është e ardhmja jonë e përbashkët, sepse duke bërë këtë integrim, qoftë në NATO apo BE, ne bëjmë vetë integrimin tonë. I gjithë kombi shqiptarë do të jetë bashkë në këtë përpjekje të fuqishme integruese në strukturat më të rëndësishme të kohës sonë.

Në këtë proces integrues është vullneti i kryeministrit Thaçi, mendja e tij, dhe njëkohësisht dëshira e madhe e popullit të Kosovës, që është po aq e fuqishme dëshira e popullit në Shqipëri, apo në zona tjera si në Maqedoni, Mal të Zi, apo në diasporë në përgjithësi.

Në vazhdim, kryeministri Thaçi dhe ish-presidentët Moisiu dhe Meidani, u përgjigjen në interesimet e gazetarëve.

Në pyetjen rreth konluzioneve të fundit lidhur me përfaqësimin rajonal të Kosovës, kryeministri Thaçi tha se “Kosova ka arritur këtë konkluzion në marrëveshje me SHBA-në dhe BE-në, që është një zgjidhje e balancuar, që është rrjedhojë e 1244 që ka qenë edhe më herët, si mbetje historike. Risi është se Serbia ka pranuar opinionin e GJND-së , duke përfshirë edhe Deklaratën e Pavarësisë.

Ju konfirmoj se sot se Këshilli i Ministrave i BE-së ka aprovuar të drejtën e Kosovës për Studimin e Fizibilitetit dhe shkurtimin e periudhës kohore për liberalizimin e vizave. Ky është moment jetik dhe i rëndësishëm për Kosovën për perspektivën evropiane të Kosovës.

E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë janë të ndara si dy shtete. Ne do të lëvizim gradualisht në perspektivën tonë evropiane, duke bërë reforma të thella

Ndërsa, ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani tha:

“Rezoluta 1244 ishte ajo që i dha Kosovës lirinë, ishte paketa e Ahtisarit që i dha Kosovës të drejtën për shpalljen e pavarësisë, që më pas kjo pavarësi u legalizua edhe nga Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sot kemi Kosovën të lirë dhe të pavarur.”
 

 

Last modified: 28 Shkurt, 2012

Comments are closed.

×