Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës themelon Zyrën Administrative në Mitrovicën Veriore

23 Maj, 2012

Prishtinë, 23.05.2011
 
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e saj e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
 
Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut, e cila do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës dhe do të koordinojë angazhimet dhe investimet qeveritare në këtë pjesë të vendit.
Fillimisht kjo zyrë do të përbëhet nga 7 drejtori me 55 të punësuar dhe ajo do të drejtohet nga një zyrtar i lartë administrativ, që do të përzgjidhet përmes konkursit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
 
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka prezantuar raportin tremujor të zbatimit të Planit të Veprimit për Partneritet Evropian, i cili është vlerësuar pozitiv. Në raport theksohet se shumica dërmuese e aktiviteteve që përshkruhen në këtë plan, janë duke u zhvilluar sipas planifikimit dhe kjo tregon seriozitetin e angazhimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës në procesin e integrimeve evropiane.
 
Në këtë mbledhje, Ministrja e Integrimeve Evropiane ka prezantuar edhe raportin për dorëzimin e përgjigjeve në pyetësorin e Komisionit Evropian për Studimin e Fizibilitetit për Kosovën. Është konstatuar se të gjitha përgjigjet janë dorëzuar brenda afatit dhe ka një kualitet në përmbushjen e këtij obligimi nga institucionet e Republikës së Kosovës.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Planin e Veprimit për Strategjinë e Reformës së Administratës Publike, si dhe Koncept-Dokumentin për Projektligjin për Organet Qeveritare të Shoqërisë së Informacionit.
 
Me propozimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, është aprovuar vendimi për mbështetjen e organizimit të “Bursës së Punësimit 2012”
 
Gjithashtu, Qeveria ka aprovuar raportin për dëmet e shkaktuara nga era në komunën e Istogut, Klinës dhe Pejës.
 
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për shpalljen e “Ujëvarave të Mirushës”, monument të natyrës, me rëndësi të veçantë. Kjo zonë përfshinë një hapësirë të zonave kadastrale të komunës së Malishevës, Klinës dhe Rahovecit.
 
Ministri për Komunitete dhe Kthim, ka njoftuar kabinetin qeveritar për rastin e ndodhur gjatë natës së mbrëmshme, ku janë djegur dy shtëpi të të kthyerve në fshatin Drenovc afër Klinës.
 
Qeveria ka dënuar aktin dhe ka theksuar se e drejta e kthimit të të zhvendosurve në pronat e tyre është e patjetërsueshme, dhe Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e vet për të siguruar kthim dhe jetë të lirë në pronat e veta për të gjithë qytetarët e saj.
 
“Ky akt nuk guxon të na dekurajoj në angazhimin tonë për kthimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës në pronat e tyre”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Last modified: 23 Maj, 2012

Comments are closed.

×