Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 19-të, të rregullt

15 Qershor, 2011

Prishtinë, 15 qershor 2011

Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi ka zhvilluar mbledhjen e rregullt me aprovimin e vendimeve dhe projektligjeve nga fusha e vet e përgjegjësisë kushtetuese dhe ligjore.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka aprovuar paketën e projektligjeve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që rregullojnë funksionimin dhe mbarëvajtjen e procesit të privatizimit në Kosovë. Projektligji për Dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligji për Riorganizimin e Ndërmarrjeve dhe Pasurisë së tyre si dhe Projektligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, janë aprovuar në këtë paket legjislative.

Rregullorja për Pushimet e Nëpunësve Civil e cila përcakton rregullat, llojet dhe mënyrën e shfrytëzimit të pushimeve të nëpunësve civil sipas Ligjit për Shërbimin Civil, është aprovuar në mbledhjen e sotme. Pushimet vjetore, mjekësore, të përdëllimit, të lehonisë dhe ato pa pagesë do të rregullohen sipas kësaj rregulloreje. Në veçanti, pushimi i lehonisë, sipas kësaj rregulloreje është harmonizuar me dispozitat që rregullojnë këtë lloj të pushimit në Ligjin e Punës.

Qeveria ka miratuar Plotësimin dhe Ndryshimin e Rregullores për fushat dhe përgjegjësitë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrive, me të cilën përcakton e3dhe fushat dhe përgjegjësit e Ministrisë së Diasporës, që është themeluar së fundmi.

Në funksion të mbështetjes për rehabilitimin e kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 150. 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) euro për mbulimin e shpenzimeve për rehabilitimin e 750 veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mbledhje është aprovuar edhe vendimi për themelimin e Komisionit Kombëtarë të Sigurimit të Aviacionit Civil që del nga Plani i Veprimit për Partneritetin Evropian dhe është hap drejt krijimit të hapësirës së përbashkët të aviacionit civil.

Qeveria e Kosovës ka marr vendimin që të shpall Zonë të interesit të përgjithshëm nacional zonën  ku është zhvilluar  Beteja e Koshares, nga Brigada 138, Agim Ramadani, në sipërfaqe prej 2488 ha, në komunën e Gjakovës.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë do të ketë 7 anëtarë të rregullt.

Agjencioni i Kosovës për Produkte Medicinale, është autorizuar që të lëshojë licencë importi, për sasi të caktuar të produkteve medicinale pa autorizim marketingu, dedikuar tregut të vendit. Këto produkte medicinale aktualisht nuk kanë zëvendësim me produkte medicinale esencialisht të ngjashme dhe të regjistruara në Republikën e Kosovës.

Me kërkesën e Ministrisë së Diasporës, Qeveria ka vendosur që të ndajë buxhetin për funksionalizimin e Ministrisë së Diasporës, për pjesën e mbetur të këtij viti.

Last modified: 15 Qershor, 2011

Comments are closed.

×