Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot Projektligjin e Punës

30 Prill, 2010

Prishtinë, 30 prill 2010

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Punës, 1 Majit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot Projektligjin e Punës. Projektligji rregullon krijimin e marrëdhënies të punës në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, krijimin e kushteve dhe standardeve të punës, mbrojtjen e të drejtave ekonomike, profesionale, sociale për punonjësit, avancimin dhe zhvillimin e dialogimit social mes partnerëve social, eliminimin e formave të diskriminimit etnik, racor, fetar, gjinor, politik, kulturor, sindikal etj., si dhe çështje tjera të rëndësishme nga marrëdhënia e punës në Kosovë.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. Ky projektligj plotëson shumë standarde dhe kushte të cilat nuk i ka përmbushur Ligji i vjetër për Vlerësimi  e Ndikimit në Mjedis. Projektligji rregullon administrimin e resurseve mjedisore, garanton të drejtën e qytetarëve për të jetuar në një mjedis  të pastër,dhe rregullon procedurat për identifikimin, vlerësimin dhe raportimin e ndikimeve të projekteve të caktuara në mjedis. Projektligji rregullon edhe procedurat shoqëruese administrative, gjatë procesit të vendimmarrjes nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për lëshimin e pëlqimit mjedisor.

Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2011-2013 ka marrë dritën e gjelbër të aprovimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2011-2013, paraqet analizën mbi mjedisin makroekonomik të Kosovës, e cila siguron bazën e politikave zhvillimore strategjike me prioritete të pajtuara nga ana e Qeverisë. Ajo po ashtu prezanton një shpjegim të pakos themelore fiskale apo skenarin bazë përkundër së cilës do të përcaktohen kufijtë e financimit të prioriteteve qeveritare.

Në mbledhje është aprovuar edhe raporti i parë tremujor i Buxhetit 2010. Raporti prezanton zhvillimet pozitive në të hyrat buxhetore, në raport me të hyrat e periudhës së njëjtë të viti të kaluar por edhe shpenzimin e buxhetit në përputhje me parametrat e planifikuar.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Raportin e vlerësimit të përshtatshmërisë së sistemit të financimit komunal në vitin 2009. Në raport është vlerësuar se viti 2009 ka shënuar fazën fillestare në zbatimin e një sistemi të ri të granteve ndërqeveritare të themeluar me ligjin mbi financat e pushtetit lokal.

Last modified: 30 Prill, 2010

Comments are closed.

×