Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e rregullt

1 Qershor, 2016

Prishtinë, 1 qershor 2016
 
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 90-të, të rregullt, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën ka miratuar dokumente, politika dhe vendime të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
 
Qeveria ka miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme dhe objekteve të “Banka Themelore e Bankës së Lubjanës në Prishtinë”, të cilat ndodhen në zonën kadastrale Prishtinë, për nevoja të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
 
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për krijimin e Task-Forcës me qëllim të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në institucionet/mekanizmat ndërkombëtarë të kulturës. Task-Forca do të përbëhet me përfaqësues nga Presidenca e Republikës së Kosovës, Kryeministria, Komisioni për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe ekspertë sipas nevojës.
 
Kabineti qeveritar ka aprovuar projektin për procesin e liberalizimit të vizave dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që do të realizohet nga Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me UNDP-në. Në realizimin e këtij projekti Ministria e Integrimit Evropian do të kontribuojë edhe me mjete financiare.
 
Pas shqyrtimit, Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme edhe Programin për Komunitete, i cili ka për qëllim ndarjen e subvencioneve dhe transfereve nga buxheti me qëllim të mbështetjes dhe promovimit të të drejtave të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës.
 
Në mbledhje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar edhe këto raportet:
•           Raporti i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
•           Raportin tremujor të implementimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, për periudhën janar-mars 2016;
•           Raportet për zbatimin e Kornizës Strategjike për Reformën e Administratës Publike.
 
Lidhur me Raportin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa tha se në Qeveri është marrë vendim që të përmbyllet puna e Komisionit.

“Tani është vështirë që ne ta hapim diskutimin lidhur me këtë raport, sepse është çështje e Komisionit dhe zbatimit të kritereve ligjore, detyrimi i tyre për t’i zbatuar ato. Ne do të kemi mjaft çështje që do t’i zgjidhim në të ardhmen sa i përket kompensimeve, sepse numri tejkalon të gjitha parashikimet, tejkalon edhe qëndrueshmërinë buxhetore, por është një çështje, për të cilën ne do të bisedojmë më tutje. Kemi një qëndrim të prerë të Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me këtë, por me rëndësi është që kjo të evidentohet kështu siç është evidentuar, të përmbyllet kjo evidencë dhe çështjet pastaj të mbesin për t’u trajtuar në të ardhmen”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Last modified: 1 Qershor, 2016

Comments are closed.

×