Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës vendosi që rruga nacionale Gjilan-Ferizaj të emërtohet “Beau Biden”

8 Qershor, 2016

Prishtinë, 8 qershor 2016
 
E drejtuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që rruga nacionale Gjilan-Ferizaj të mbajë emrin “Beau Biden”.
 
Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ka thënë se emërtimi i kësaj rruge shumë të rëndësishme të Kosovës me emrin e Beau Biden, është diskutuar në të gjitha nivelet dhe është një disponim i përgjithshëm që përmes këtij vendimi të tregohet falënderimi dhe mirënjohja e Republikës së Kosovës për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, veçmas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Emri i Joseph Robinette “Beau” Biden III, jurist dhe politikan i njohur amerikan i cili për shkak të një sëmundje të rëndë ndërroi jetë në kulm të karrierës, është i lidhur me Kosovën, me shtetndërtimin dhe demokratizimin e institucioneve dhe me ndihmën e vazhdueshme që është dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
 
Biden në vitin 2001, si jurist me përvojë të begatshme dhe i përgatitur gjithanshëm, kishte shprehur vullnetin e tij për të shërbyer në Kosovë. Ai shërbeu si këshilltar i lartë në OSBE, konkretisht u mor me ndërtimin dhe menaxhimin e institucioneve juridike të Kosovës, me ç’rast ka trajnuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj dhe me punën e tij ka ndihmuar dhe mundësuar themelimin e sistemit të ri penal juridik në Kosovë.
 
Beau Biden është biri i burrështetasit amerikan Joe Biden, zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një mik i madh i Kosovës, i cili me punën e tij, bashkë me Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama, në mënyrë të vazhdueshme ka kontribuuar në shtetndërtimin e Kosovës, në zhvillimin e përgjithshëm, në forcimin dhe sigurinë e paqes në rajon. Kjo e bën Familjen Biden mike të vërtetë dhe të përhershme të Kosovës.
 
Emërtimi i kësaj rruge me emrin e Beau Biden është shprehje e mirënjohjes së përjetshme të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj për të gjithë qytetarët e SHBA-ve që kanë kontribuuar në mënyra të ndryshme në Kosovë.

Last modified: 8 Qershor, 2016

Comments are closed.

×