Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës përkrah përmirësimin e jetës së të gjithë banorëve të Graçanicës

10 Qershor, 2016

Graçanicë, 10 qershor 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi Komunën e Graçanicës, ku u prit nga kryetari Vladeta Kostiq me bashkëpunëtorë.
 
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Mustafa shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi si dhe nga ministri i Kthimit dhe i Komuniteteve, Dalibor Jevtiq.
 
Kryeministri Mustafa pas takimit tha se gjatë kësaj vizite është njoftuar nga kryetari i Komunës për çështjet aktuale.
 
“Kemi biseduar edhe më përpara, por kemi biseduar në selinë e Qeverisë dhe jemi munduar t’i koordinojmë punët sa i përket përkrahjes së Qeverisë në kërkesat aktuale që i ka komuna e Graçanicës. Është një komunë, e cila ka arrit që të plotësojë qëllimin për çka është themeluar, ka punuar mjaft në ndërtimin e infrastrukturës, në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Por, po ashtu ka nevojë për një përkrahje edhe më të madhe të Qeverisë qendrore dhe të ministrive, edhe në fushën e ndërtimit të infrastrukturës, në fushën e ndërtimit të një rruge, e cila e anashkalon qendrën dhe mundëson që të lidhet drejtpërdrejt me rrugën për Gjilan. Mundësisht të krijohet një komunikim shumë i mirë i kësaj komune me Prishtinën, i Graçanicës, por edhe i fshatrave përreth”, tha kryeministri Mustafa.
 
Më tej, kryeministri Mustafa tha se kjo komunë ka nevojë për përkrahje edhe sa i përket deponisë dhe zgjidhjes së atij problemi për qytetarët.
 
“Veçmas biseduam për perspektivën ekonomike të kësaj komune, sepse ka një zonë themi kushtimisht ekonomike shumë të mirë e cila shtrihet përgjatë dy anëve të rrugës që shkon për Lipjan dhe Ferizaj dhe që po ashtu do të ketë një komunikim të mirë me autostradën e cila shkon për Shkup. Ne shohim arsye të madhe që ta përkrahim këtë komunë në mënyrë që të ketë investime këtu, të ketë punësim dhe që qytetarët e Graçanicës të kenë perspektivën e tyre të jetës në Kosovë, në këtë komunë dhe të jenë pjesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.
 
Kryetari i Graçanicës, Vladeta Kostiq,  tha se gjatë takimit me kryeministrin është biseduar në mënyrë shumë konstruktive dhe e ka informuar me të gjitha problemet me të cilat përballet qeverisja lokale në Komunën e Graçanicës.
 
“Ne gjithashtu e njoftuam kryeministrin me planet tona. Këto janë disa projekte infrastrukturore të cilat janë të arritshme në afat të shkurtër kohor, në një periudhë afatmesme”, tha Kostiq.
 
Kryetari i Graçanicës po ashtu tha se i kanë paraqitur problemet me të cilat ballafaqohet komuna, duke veçuar problemin me buxhetin e vogël.
 
“Ne kemi dhënë disa sugjerime për zgjidhjen e këtyre problemeve tona urgjente. Ne shpresojmë se Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës dhe vetë Kryeministri do të kenë mirëkuptim për problemet tona, dhe unë jam i kënaqur që kjo vizitë sipas vlerësimit tim ishte shumë e suksesshme”, tha kryetari Kostiq.

Last modified: 10 Qershor, 2016

Comments are closed.

×