Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës mori vendim për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve

8 Janar, 2016

Prishtinë, 8 janar 2016

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti mbledhjen e  68-të.

Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e parë për këtë vit, kërkoi nga ministrat dinamizim të punës së Qeverisë, sidomos në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik, plotësimin e  plotë të rekomandimeve të fundit që kanë mbetur lidhur me liberalizimin e vizave, çështjen e implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, si dhe për përgatitjet për ligjin për pagat.

Fillimisht, kryeministri Isa Mustafa, duke iu referuar shqetësimit të ministrit Stavileci lidhur me disa detyrime për lëndën e cila është proceduar nga AXOS-i, ka propozuar që menjëherë pas kësaj mbledhje të ulet një grup i ministrave, ministri Blerand Stavileci, ministri Hajredin Kuçi, ministri i Financave Avdullah Hoti, që të shohin se si duhet të përmbushen ato, dhe pastaj të sillet një propozim në Qeveri për t’i përmbushur këto detyrime.

Më tej, kryeministri Mustafa kërkoi nga kabineti qeveritar dinamizimin e punës së  Qeverisë në disa drejtime, sidomos gjatë këtij muaji. “Ne tani e kemi gati Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik të cilën duhet ta trajtojmë dhe duhet ta aprovojmë në Qeveri. Nëse edhe dikush nga ministritë përkatëse ka mbetur t’i jap ndonjë vlerë shtesë kësaj strategjie, ta bëjë sa më shpejtë, sepse këtë më së largu pas 10 dite llogarisim që ta trajtojmë në Qeveri. Është një dokument shumë i rëndësishëm që pastaj na hyn në punë edhe për fondet të cilat na janë premtuar edhe nga Korporata Amerikane e Mileniumit, për të cilën duhet të përgatitemi, sepse do të kemi takime lidhur me shfrytëzimin e fondeve që do t’i marrim për sfidat e mileniumit nga kjo korporatë. E dyta është çështja për të cilën ne kemi biseduar dhe jemi në rrjedhë të plotësimit të plotë edhe të këtyre rekomandimeve të fundit që kanë mbetur lidhur me liberalizimin e vizave. Ne kemi biseduar edhe me ministritë përkatëse, Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Kryeprokurorin, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, zëvendëskryeministrin Thaçi, dhe do të kemi një takim edhe të hënën lidhur me një prerje që do ta bëjmë ne rreth përmbushjes së plotë edhe të kërkesave të fundit që ka pasur Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave. Prandaj edhe në këtë aspekt ju kisha lutur që t’i sqarojmë çdo gjë që eventualisht mund të na ketë mbetur që në këtë proces mund të mbetet si vërejtje.

Çështje e tretë po ashtu që duhet të punojmë është çështja e implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Marrëveshja ka mbetur që tani të trajtohet në Parlamentin Evropian dhe atje të kapërcej edhe ato faza, mirëpo ato janë çështje të cilat i takojnë Parlamentit Evropian të cilat do të përfundojnë. Por ne tani duhet ta skicojmë agjendën e implementimit të kësaj marrëveshje, sepse është tepër e dobishme për ne, të cilës ndoshta edhe nuk ia kemi dhënë peshën dhe fuqinë që ajo e meriton, sepse është Marrëveshja e parë kontraktuale që ne po e bëjmë. Janë këto çështje të tjera që ndërlidhen me përmbushjen e obligimeve ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat ne i kemi lidhur, qoftë marrëveshje ndërkombëtare të cilat kanë kaluar përmes Parlamentit, ato që janë përgatitur, dhe marrëveshjeve të tjera. Me ministren Tahiri ne kemi biseduar edhe lidhur me të gjitha detyrimet që i kemi ne sa i përket fitimit të kodit telefonik, për të cilën është aplikuar të hënën dhe e cila procedurë po ecë. Mendoj se ekziston disponim i plotë që ne ta marrim këtë kod, por natyrisht se edhe ne kemi disa detyrime tona me marrëveshje të cilat duhet t’i përmbushim. Janë edhe detyrime tjera rreth energjisë, që po ashtu janë detyrime dypalëshe të cilat duhet t’i përmbushim, sepse janë disa çështje që janë në interes vital të Republikës së Kosovës.

Është edhe ligji për pagat të cilin ne e kemi diskutuar me ministrin Yagcilar dhe ministrin Hoti i cili është përgatitur. Është prolonguar, por unë mendoj se nuk ka asnjë arsye që të prolongohet më tutje, por t’i përfundojmë përgatitjet dhe ta kalojmë në Qeveri gjatë këtij muaji, natyrisht duke konsultuar edhe Kuvendin edhe subjektet e tjera. Prandaj, ju kisha lutur që të koncentrohemi në këto çështje, sepse janë çështje të rëndësisë së veçantë, të cilat ne tash në fillim të vitit mund t’ju japim një rrugë dhe një orientim shumë të qartë.

Dhe një çështje tjetër është ajo e Programit Legjislativ të cilin ne në parim e kemi dhënë pëlqimin tonë në përfundimit të vitit të kaluar kur e aprovuam planin e punës së Qeverisë, por ka mbetur që edhe njëherë të trajtohet kostoja e çdo ligji që ne do ta aprovojmë. Që të mos bëjmë ndonjë takim të veçantë, unë ju kisha lutur juve ministrave dhe zëvendësministrave që janë këtu që t’i përcjellin te ministrat, ose ta merrni ju drejtpërdrejtë këtë, ta shihni edhe njëherë ketë agjendë, ta konsultoni me Ministrinë e Financave në mënyrë që pastaj javën tjetër, sepse nuk kemi kohë, duhet t’ia dorëzojmë Kuvendit. Të mërkurën tjetër, në seancën e Qeverisë ne do ta aprovojmë programin ose agjendën legjislative që do t’ia propozojmë Kuvendit, për arsye se duhet Kuvendi ta ketë këtë agjendë. Për ato ligje për të cilat ju vlerësoni bashkërisht me Ministrinë e Financave se nuk mund t’i mbulojmë sivjet me buxhet, për arsye se nuk kemi mjete, mund t’i prolongojmë për vitin e ardhshëm ose mund t’i aprovojmë por me kusht që ato të hyjnë në fuqi atëherë kur kemi mjete për zbatimin e tyre, por do të ishte mirë që këtë ta sqaroni me Ministrinë e Financave, por jo në pikëpamje që dikush tash të marr leje në Ministrinë e Financave sepse gjitha ministritë e kanë pavarësinë e tyre të plotë, por për arsye se jemi në Qeveri bashkërisht dhe të gjithë duhet të mendojmë njëjtë se a kemi apo nuk kemi mjete që t’i zbatojmë ato ligje dhe të mos hyjmë të propozojmë ligje, të shkojnë në Kuvend, e pastaj të konstatojmë se nuk kemi mundësi. Barra buxhetore është aq e madhe sa nuk do të kemi mundësi për t’i implementuar. Ju kisha lutur që sot të ulen ato ministri që konsiderojnë se kanë ligje që kanë obligime buxhetore të mëdha që t’i rikonsideroni edhe njëherë”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Qeveria e Kosovës mori vendim për rritjen e Pensioneve të Kontributdhënësve, në pajtim me Ligjin Nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Përmes këtij vendimi çdo pensionisti i cili ka 15 vjet përvojë pune në mënyrë automatike do t’i njihet përvoja shtesë e punës prej 25 vitesh. Kjo nënkupton që pagesa e pensionit kontributiv i cili është sot 140 euro të ngritët në 158 euro si bazë fillestare për kalkulimin e kontributeve apo kualifikimeve tjera.

Kryeministri Isa Mustafa tha se ky është një vendim shumë i rëndësishëm, sepse praktikisht po ju njihet përvoja e plotë e punës të gjithë atyre që kanë pasur 15 vjet përvojë pune si kusht për ta fituar statusin e pensionistëve kontributdhënës. Në mungesë të dokumentacionit të kompletuar për këtë pjesën tjetër të përvojës qoftë gjatë okupimit, qoftë gjatë luftës dhe me këtë po arrinë baza e pensionit kontributdhënës në 158 euro. Mbi këtë 158 euro mbetet që pastaj të hartohen dhe të qartësohen kriteret nga komisioni lidhur me efektet që do t’i ketë kualifikimi në pensionet kontributdhënëse”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se efektet e këtij vendimi më pas do të jenë në përputhje me nivelin e shkollimit dhe kualifikimeve.

Kryeministri Mustafa tha po ashtu se afati që kjo të përfundohet është deri në fund të shkurtit me kusht që shtesën tjetër për pensione ta marrin nga 1 Janari i këtij viti. Ndërkaq, lidhur me çështjen që hapi ministrja Tahiri që ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes së punonjësve të cilët kanë punuar në institucionet e Kosovës në kohën e okupimit, kryeministri Mustafa tha se mbetet çështje në të cilën duhet të punohet, duhet të përcaktohen kritere dhe të gjithë atyre pastaj që kanë punuar në atë periudhë dhe kanë kontribuar t’ju njihet ajo përvojë e punës, dhe që në kritere të përcaktohet se në çfarë forme do të identifikohet ajo përvojë dhe do të dëshmohet përvoja e tillë.

Kabineti Qeveritar miratoi edhe konkluzionet e dala nga takimi i Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme të Qeverisë u mor vendimi për themelimin e Grupit Negociator për përkrahje Buxhetore lidhur me Reformën e Administratës Publike.

Last modified: 8 Janar, 2016

Comments are closed.

×