Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për rritjen për 25% të ndihmës sociale

17 Nëntor, 2015

Prishtinë, 17 nëntor 2015

E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar vendimin për rritjen për 25% të  lartësisë së pagesave për çdo familje që merr asistencë sociale në Kosovë dhe vendime të tjera nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Është aprovuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Kredia ka vlerën 2.6 milionë euro dhe do të përdoret kryesisht për blerjen e pajisjeve mjekësore.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin lidhur me përfitimet e ish-ministrave dhe ish-zëvendësministrave, pas përfundimit të mandatit. Sipas këtij vendimi, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe drejtori i AKI-së pas përfundimit të mandatit do të marrin për një vit 70 për qind të pagës, ndërsa zëvendësministrat në periudhën prej 6 muajsh pas përfundimit të mandatit, vetëm nëse nuk marrin të ardhura të tjera nga Buxheti i Kosovës.

Kabineti Qeveritar ka miratuar Koncept-dokumentin për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive. Po ashtu, u aprovua propozimi që të parashihet autorizimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme që periodikisht të shpall amnisti për grumbullimin e armëve.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për lartësinë e pagesës së shumës mujore për ndihmë sociale.

Sipas këtij vendimi, rritja e ndihmës sociale për çdo familje do të jetë 25% e vlerës aktuale të ndihmës sociale dhe do të filloj të zbatohet nga nëntori 2015.

Aktualisht, nga Skema e Ndihmës Sociale përfitojnë rreth 26 mijë familje me rreth 115 mijë anëtarë, të cilat kanë marrë ndihmë sociale në bazë të numrit të anëtarëve në familje nga 40-120 euro. Sipas legjislacionit në fuqi, shuma mujore e ndihmës sociale përcaktohet sipas numrit të anëtarëve të familjes dhe kostos së çmimeve të konsumit të shportës së ushqimit, e cila duhet të harmonizohet me indeksin e çmimeve të konsumit të shportës së ushqimit, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Bazuar në një analizë të lëvizjes së çmimeve të shportës së ushqimit, është vlerësuar dhe propozuar që rritja e ndihmës sociale për çdo familje të jetë 25% e vlerës aktuale të ndihmës sociale dhe të filloj të zbatohet nga nëntori 2015. Me këtë propozim do të rritet vlera e pikës nga 1 pikë = 1.00 euro, në 1 pikë = 1,25 euro, që rezulton se familjet do të përfitojnë ndihmë sociale nga 50-150 euro.

Buxheti për mbulimin e kostos së rritjes së vlerës së ndihmës sociale në vlerë prej 25% është planifikuar edhe në Buxhetin për vitin 2016.

Rritja e vlerës së ndihmës sociale, përveç që do të ndikojë në rritjen e mirëqenies së këtyre familjeve, do të ndikojë edhe në zvogëlimin e shkallës së varfërisë, sidomos asaj ekstreme.

Kryeministri Isa Mustafa, tha se propozimi është shumë i qëlluar, meqenëse edhe mjetet janë siguruar.

Ministri i Administratës Publike ka njoftuar kabinetin qeveritar për Konferencën e Shkollës Regjionale për Administratë Publike në Malin e Zi, ku Kosova është anëtare në cilësinë e vëzhguesit dhe në të ardhmen pretendon të bëhet anëtare me të drejta të plota.

Last modified: 17 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×