Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për rritjen e pensioneve

20 Maj, 2016

Prishtinë, 20 maj 2016
 
E drejtuara nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 88-të të rregullt, në të cilën ka miratuar Projektligjin për mbrojtjen e fëmijës, vendimin për rritjen e pensioneve kontributpagues si dhe vendime tjera të fushës së përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
 
Projektligji për mbrojtjen e fëmijës, i cili ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme ka për qëllim mbrojtjen e fëmijës, sigurimin e përgjegjësisë së prindërve, familjes dhe shtetit dhe integrimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijës në Republikën e Kosovës.
 
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar draftin e Raportit Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2015. Raporti paraqet të arriturat, gjetjet dhe masat që duhen ndërmarr për përmirësimin e kontrollit të financave publike në Republikën e Kosovës.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për rritjen e Pensionit Kontributpagues të Moshës, sipas përgatitjes shkollore. Sipas vendimit, pensionistët kontributdhënës me nivel të ulët të përgatitjes profesionale do të marrin pensionin në shumën 158 euro, ata me përgatitje të mesme në shumën 172 euro, me përgatitje të lartë profesionale 186 euro, ndërsa me përgatitje superiore në shumën 230 euro.

Kryeministri Isa Mustafa e ka vlerësuar këtë vendim si kontribut shumë të madh të Qeverisë dhe institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës në arritjen e përmbylljes së kësaj kërkese shumëvjeçare të pensionistëve.

“Unë mendoj që edhe përkundër asaj që s’kemi mundur të sigurojmë nivel të pensionit çfarë është dashur që ata ta kenë, në bazë të kontributeve që kanë dhënë, të cilat kontribute tani edhe nuk mund t’i shfrytëzojnë, megjithatë është një shumë e dinjitetshme. Mirëpo ne po kontribuojmë që të përmirësohet standardi i tyre dhe të mundësohet që ata të kenë një jetë dinjitoze. Prandaj, e vlerësoj shumë të rëndësishëm këtë vendim që Qeveria e merr sot në dobi të qytetarëve dhe të sigurimit të jetës së tyre”, tha kryeministri Mustafa.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për kompensimin e shtesave për punëtorët e Klinikës së Kardiokirurgjisë Invazive për vitin 2016. Kjo do të mundësojë që ky shërbim të ofrojë shërbim 24 orësh dhe do të kursejë përafërsisht rreth gjysmë milion euro nga fondi për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.
 
Qeveria, po ashtu, mori vendim për ndarjen e mjeteve financiare për Prokurorin e Shtetit, për mbulimin e shpenzimeve të qirasë për objektin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë si dhe për mbulimin e shpenzimeve për inventarë dhe pajisje të teknologjisë informative.
 
Është miratuar edhe kërkesa e Ministrisë së Financave për shpërndarjen e kontigjencës për korrektim të formulës-pjesës së Grantit të Përgjithshëm në vitin 2017 për Komuna. Këto mjete ndahen për 14 komunat të Republikës së Kosovës me popullsi prej më pak se 22 mijë banorë.
 
Edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile dhe Tregtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, ka marr miratimin në parim nga kabineti qeveritar.
 
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe listën e mallrave me përdorim të dyfishtë, të cilat i nënshtrohen kontrollit shtetëror të importit dhe eksportit.
 
Qeveria ka aprovuar edhe vendimin për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme ndërmjet Agjencionit Pyjor të Kosovës dhe Komunës së Pejës.

Kryeministri Isa Mustafa tha se ky është një prej projekteve më të rëndësishme dhe më të mëdha të kësaj Komune dhe një këmbëngulje e komunës që të realizoj këtë projekt shumë të rëndësishëm turistik për atë Komunë, për Kosovën, por edhe për regjionin.

“Prandaj, mendoj se ne në këtë formë mund të ndihmojmë në zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin ekonomik lokal, por edhe në zhvillimin në përgjithësi të Kosovës”, tha kryeministri.
 
Kabineti qeveritar gjithashtu ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica.
 
Qeveria është informuar edhe lidhur me Raportin mbi Performancën e të Hyrave dhe Shpenzimeve Buxhetore në përudhen janar-prill të viti 2016. Në këtë periudhë është shënuar rritje e të hyrave prej 14,8 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të viti të kaluar.
 
Në mbledhjen e sotme është diskutuar edhe për përgatitjet që janë duke u zhvilluar për mbledhjen e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, e cila do të mbahet më 3 qershor.

Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar që të gjitha përgatitjet për këtë mbledhje të jenë të përfunduara deri në fund të javës tjetër.

Last modified: 20 Maj, 2016

Comments are closed.

×