Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

8 Qershor, 2016

Prishtinë, 8 qershor 2016

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 91-tën me radhë, në të cilën ka miratuar dokumente dhe vendime të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa ka uruar zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, për emërimin në këto pozita.

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Përkitazi me Themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Ky projektligj është hartuar pas miratimit të nismës dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, është miratuar nga Qeveria.

Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që rruga nacionale Gjilan-Ferizaj të mbajë emrin “Beau Biden”.

Kryeministri Isa Mustafa, tha se emërtimi i kësaj rruge shumë të rëndësishme të Kosovës me emrin e Beau Biden, është diskutuar në të gjitha nivelet dhe është një disponim i përgjithshëm që përmes këtij vendimi të tregohet falënderimi dhe mirënjohja e Republikës së Kosovës për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, veçmas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më tej, Qeveria ka marrë vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i Projektit për ndërtimin e Ngrohtores së Re të Qytetit në Gjakovë.

U aprovua edhe vendimi preliminar për shpronësimet të cilat preken nga ndërtimi ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM, Pikat Kufitare Merdare dhe Bërnjak, si dhe vendimi preliminar për shpronësimet të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë-Han i Elezit, sektori C2C dhe C3.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar edhe konkluzionet e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike si dhe është informuar me draftin e konkluzioneve të Grupit të Veçantë të Reformës së Administratës Publike.

Është marrë edhe vendimi për vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe për një mandat të ri tre vjeçar.

Vendimi i tjetër i miratuar ka plotësuar dhe ndryshuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve Komisionin Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish-të përndjekurve politik.

Qeveria gjithashtu ka miratuar edhe vendimin per themelimin e Grupit Ndërministror për hartimin e Strategjisë nacionale për mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe Planin e Veprimit, që përbëjnë edhe përmbushje të obligimeve  ndërkombëtare të Republikës së Kosovës që dalin nga Rezoluta 1540 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe obligime tjera që dalin nga marrëveshje dhe traktate tjera ndërkombëtare.

U miratua Koncept dokumenti për fushën e produkteve të ndërtimit dhe Koncept dokumenti për trajtimin e pajisjeve nën presion të cilat i nënshtrohen presionit punues më të madh se 1.5 bar manometrik.

U mor vendimi edhe për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e kontributit në Fondin e Inovacionit të Mekanizmit të Zhvillimit të Ndërmarrësisë dhe Inovacionit të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Kosovës ka ndarë po ashtu mjetet financiare për Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve për shënimin e ditës së personave të pagjetur.

Më tutje, u ndanë edhe mjetet financiare për ndërtimin e trotuarit dhe ndriçimit publik, asfaltimin e rrugës në fshatin Burkovë, si dhe asfaltimin e rrugës për në Manastirin Ortodoks në Budisalc si dhe për manifestimin e ditës ndërkombëtare Rome.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka informuar kabinetin qeveritar me procesin e rishikimit të teksteve të arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës.

Last modified: 8 Qershor, 2016

Comments are closed.

×