Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

10 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 10 dhjetor 2015

E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 63-tën me radhë. Në mbledhje ka miratuar projektligjet për Energjinë dhe për Gazin Natyror. Qeveria ka miratuar edhe dokumente dhe vendime tjera në kuadër të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes kryeministri Isa Mustafa, vlerësoi punën njëvjeçare të Qeverisë duke përgëzuar ministritë për punën e bërë.

Kryeministri Mustafa vlerësoi se përkundër vështirësive që e kanë karakterizuar këtë vit, në aspektin politik, Qeveria ka arritur t’i përmbush objektivat kryesore, të cilat i ka përcaktuar për këtë vit, duke vlerësuar edhe bashkëpunimin e mirë ndërmjet ministrive.
 
“Vlerësoj se e arritura më e madhe e këtij viti është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, që flet për përkushtimin e Bashkimit Evropian për vendin tonë, por edhe për besimin që Bashkimi Evropian ka në qeverisjen e mirë në Kosovë. Është, po ashtu, vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar se ne do të kemi një rritje ekonomike këtë vit prej rreth 3.8 për qind, që flet për ndryshimin e trendit të zhvillimit ekonomik, sepse po hyjmë në një trend të rritjes së zhvillimit ekonomik për periudhën e ardhshme kohore, dhe për besimin që Kosova ka arritur ta krijojë tek institucionet financiare ndërkombëtare, para së gjithash te FMN-ja, me nënshkrimin e Marrëveshjes me Fondin, dhe te institucionet evropiane financiare, siç është Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Banka Evropiane për Investime, një pjesëmarrje e madhe e Bankës Gjermane për Zhvillim, pastaj e Bankës Botërore. Unë mendoj se këtu qëndron edhe baza e zhvillimit tonë në të ardhmen, sepse na u ka mundësuar që të kemi burime tjera të financimit, jashtë burimeve buxhetore”, tha kryeministri Mustafa.

Duke folur për Buxhetin, kryeministri Mustafa tha se objektivisht do të jetë Buxhet prej dy miliardë eurosh, qysh nga fillimi i vitit të ardhshëm, kur do të bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit mbi Financat Publike, i cili do të mundësojë që edhe pozicionet tjera, të futen si pozicione buxhetore, jashtë përkufizimit që e kanë pasur lidhur me deficitin buxhetor.

“Kemi mbërritur që gjatë këtij viti t’i rrisim pagat mesatarisht për 6 për qind, si paga reale të të gjithë punonjësve tanë, me zbatimin e përvojës së punës. Kemi arritur që pas 15 vjetëve të sigurojmë pensionet për veteranët. Është një numër i tyre, diku rreth 15 mijë që tani kanë aplikuar në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale. Kemi arritur që të rrisim ndihmat sociale prej 25 për qind, që është një përkujdesje e veçantë për familjet që kanë nevojë për përkujdesje sociale. Dhe, po ashtu, kemi arrit që të sigurojmë fonde për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve, rritja mesatare e të cilave do të jetë rreth 25 për qind, që flet për një hap shumë të rëndësishëm të kësaj Qeverie. Ne sot, po kalojmë praktikisht edhe numrin mbi 70 projektligje, të cilat po ia procedojmë Kuvendit të Republikës së Kosovës për këtë vit. Sigurisht që do të arrijmë deri në 80 projektligje deri në fund të këtij viti, që flet se në krahasim me vitet e mëparshme, jemi larg përpara edhe në procedimin e projektligjeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo Qeveri ka arritur që të filloj ta zgjidh problemin e Trepçës përfundimisht. Kemi arrit që ta zgjidhim problemin e energjisë elektrike përfundimisht, sepse kemi hyrë në procedurën e cila do të kurorëzohet me lidhjen e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit të ri në vlerë prej një miliard eurove”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, konstatoi se përkundër punës që është bërë deri më tani, nuk është afirmuar sa duhet puna dhe rezultatet konkrete të Qeverisë, duke kërkuar që dikasteret të jenë më të kujdesshëm dhe se ia kanë borxh opinionit, që punën që e bën t’ia prezantojë opinionit, në të ardhmen.

Kryeministri Mustafa kërkoi nga ministrat që të jenë më shumë prezentë në Kosovë se sa jashtë, pasi që MPJ e përfaqëson vendin jashtë, ndërkaq ministritë e tjera, përpos programeve dhe nevojave të domosdoshme, duhet të jenë brenda vendit, të përkushtohen edhe më shumë për punë, dhe që për vitin e ardhshëm ta shtojnë së paku edhe një herë e gjysmë më tepër dinamikën e punës së Qeverisë, se sa gjatë këtij viti.

Kabineti qeveritar miratoi Projektligjin për Energjinë. Ky projektligj përcakton parimet dhe rregullat e përgjithshme përmes të cilave drejtohen veprimtaritë në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës. Projektligji synon të garantojë furnizim të sigurt, të qëndrueshëm dhe të cilësisë së lartë me energji. Projektligji synon gjithashtu të krijoj kushtet për një treg të hapur dhe funksional të energjisë, rritjen e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe mbrojtjen e mjedisit nga aktivitetet e energjisë.

Projektligji për Gazin Natyror, i cili ka marr gjithashtu miratimin nga Qeveria e Kosovës, ka për qëllim të krijoj kornizën ligjore për transmisionin, shpërndarjen, furnizimin, përdorimin dhe deponimin e gazit natyror në Republikën e Kosovës. Projektligji përcakton qasjen ndaj tregut dhe procedurat për dhënien e autorizimeve për operimin e sistemeve të gazit natyror në Republikën e Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Rregullorja për organizimin e njësive të strukturave për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë në Republikën e Kosovës.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar edhe Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026 dhe Planin e Veprimit për zbatimin e kësaj Strategjie. Strategjia është dokumenti kryesor i MAPL‐së i cili ndërlidhë politikat dhe orientimet strategjike për pushtetin lokal me politikat prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Është miratuar edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për “Rehabilitimin e rrugëve rajonale”.

Qeveria ka miratuar edhe Raportin vjetor të performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2014. Raporti do t’i procedohet për shqyrtim Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kabineti qeveritar është informuar me raportin për performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore.

Të hyrat për periudhën janar-nëntor 2015 janë rritur me 8.7 % krahasuar me vitin paraprak. Pritet që me këtë trend viti të përmbyllet me realizim të të hyrave tatimore me 99.8 % sipas planit të aprovuar në Kuvend. Marrë në përgjithësi, të hyrat buxhetore realizohen me 95 % që është një realizmi i kënaqshëm.

Tek shpenzimet janë evidentuar kursime të konsiderueshme. Përgjithësisht, ekzekutimi i buxhetit arrihet të jetë në 95.5 %, që është mjaft i kënaqshëm krahasuar me trendet e viteve paraprake.

Tek dividenta është kërkuar nga PTK-ja që të paguhet pjesa e mbetur e dividentës.

Kryeministri Isa Mustafa, në këtë pikë,  ka thënë se duhet të kërkohet në emër të Qeverisë, sipas kërkesës së Ministrisë, që PTK-ja t’i kryej obligimet e veta ndaj Buxhetit sa i përket dividentës në bazë të planifikimit buxhetor, ashtu siç ka qenë me vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Last modified: 10 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×